LajmeMaqedoni

Bullizmi dhe dhuna në shkolla alarmojnë ekspertët: Zgjidhja nis nga besimi prind-fëmijë

Rastet e bullizmit dhe dhunës në shkolla po marrin përmasa serioze në vend, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se ndikimi i internetit dhe mungesa e komunikimit mes prindërve dhe fëmijëve po e përkeqësojnë situatën. Sipas tyre, fëmijët kalojnë deri në 10 orë në internet, ku shpesh përballen me përmbajtje agresive që ndikojnë në normalizimin e sjelljeve të dhunshme.

Dragi Zmijanac nga Ambasada e Fëmijëve “Megjashi” theksoi se problemi i dhunës bashkëmoshatare në Maqedoni është serioz dhe përfshin jo vetëm dhunën fizike, por edhe atë verbale dhe kibernetike. Ai nënvizoi se kontrolli prindëror dhe ndërtimi i besimit mes prindit dhe fëmijës janë elemente kyçe për parandalimin e rasteve të bullizmit.

“Nxënësit duhet të jenë pjesë aktive në krijimin e një mjedisi të sigurt në shkolla. Kjo kërkon më shumë kohë, aktivitete jashtëshkollore dhe ulje të pranisë së tyre në internet”, deklaroi Zmijanac.

Nga ana tjetër, Zoran Ilievski nga Koalicioni i Organizatave Rinore tha se shpesh ekziston një hendek mes perceptimit të të rriturve dhe realitetit që përjetojnë nxënësit në shkolla.

“Duhet të shkojmë direkt te nxënësit dhe t’i pyesim se si ndihen dhe nëse përfshihen në vendimmarrje. Nuk mjafton vetëm dokumentacioni, por duhet të kuptojmë realitetin e tyre të përditshëm”, u shpreh Ilievski.

Në kuadër të projektit “Aktivizmi Shkollor”, synohet zgjerimi i bashkëpunimit në të gjitha shkollat e vendit përmes trajnimit të shërbimeve profesionale, me qëllim reagimin e shpejtë ndaj çdo forme të bullizmit. Deri më tani, projekti ka përfshirë mbi 8 mijë nxënës dhe 50 shkolla në mbarë vendin.

Mesazhi kryesor nga diskutimi ishte se siguria në shkolla nuk nënkupton vetëm mungesën e dhunës fizike, por krijimin e një ambienti ku çdo fëmijë ndihet i respektuar, i dëgjuar dhe i mbështetur.

 

Shfaq më shumë

NGA kategoria

Back to top button
Globi.mk