
Në takim me kreun e Këshillit Evropian Antonio Koshta gjatë të martës, kryeministri Hristijan Mickoski thotë se do të shkëmbejnë ide se si mund të tejkalohet çështja e bllokimit të integrimit. Megjithatë kryeministri thotë se qëndrimi i tij rreth ndryshimeve kushtetuese nuk ka ndryshuar sepse parakushtet që ai pret nga pala tjetër nuk janë plotësuar.
“Nuk e kemi në plan që të plotësojmë dëshira veçanërisht pas deklaratave të reja të kryeministrit të ri të fqinjit tonë lindor i cili me krenari thotë se si president i Bullgarisë i është dashur një vit që të bindë shefat e vendeve anëtare të BE-së se duhet të ndryshohet kushtetuta dhe se ky është vetëm një fillim i thjeshtë. Dhe meqë e di edhe përmbajtjen e bisedës që e kishte ministri ynë për punë të Jashtme me kolegen e tij në Bullgari, mund të them se ky është vetëm fillimi i asaj që vijon. Kështu që ne në këtë moment nuk e kemi për qëllim që të lëvizim asnjë milimetër. Nëse dikush vlerëson se ne si shtet duhemi atje dhe ne si shtet jemi vlerë e shtuar, do të bëjmë gjithçka që atë mundësi ta shfrytëzojmë dhe justifikojmë” tha kryeministri Hristijan Mickoski.
LSDM-ja prej ditësh kërkon referendum për çështjen e ndryshimeve kushtetuese dhe integrimit. Këtë radhë, përmes të rinjve të partisë, ata thonë se të rinjtë nuk duan të jetojnë në izolim dhe duan vetë të vendosin për të ardhmen e tyre.
“Ne duhet të jetojmë në izolim, duke pritur 10 orë në kufi, ndërsa ata dhe familjet e tyre kanë pasaporta bullgare, të BE-së. Të rinjtë që do të vazhdojnë të emigrojnë do të paguajnë çmimin më të lartë. Maqedonia do të mbetet pa të rinj, pa njerëz, pa të ardhme. Asnjë gur mbi gur nuk do të mbetet. Të rinjtë nuk duan që Mickoski të vendosë në emër të tyre, të formësojë të ardhmen e tyre në një vend të bllokuar dhe të izoluar. Të rinjtë duan të vendosin vetë se në çfarë lloj vendi do të jetojnë”, tha Trajçe Stojçevski, nga LSDM-ja.
Kreu i Këshillit Evropian Koshta do të nisë vizitën disaditore në vendet e Ballkanit Perëndimor të hënën e arshme për të takuar kretët e shteteve kurse në datën 5 maj në Tivat do të mbahet edhe Samiti BE-Ballkani Perëndimor. Tema qendrore e këtij samiti është “Prosperiteti dhe stabiliteti i përbashkët i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor”. /Alsat.mk



