BotaLajme

BDI: Parlamenti Evropian ngre shqetësimin për ndikimin e “Botës Serbe” në Maqedoni, VLEN hesht

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar pas deklaratave të përfaqësuesve të VLEN-it, duke i akuzuar ata se po injorojnë zhvillimet që, sipas partisë, prekin identitetin dhe të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Në kumtesën e saj, BDI thekson se reagimi vjen në ditën kur, sipas saj, shqiptarët po përballen me pasojat e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e emërtimeve të rrugëve me përmbajtje dhe simbolikë shqiptare në Tetovë.

“Në ditën kur shqiptarët po përballen me pasojat e vendimit të Gjykatës Kushtetuese që shfuqizoi emërtimet e rrugëve me përmbajtje dhe simbolikë shqiptare në Tetovë, eksponentët e VLEN-it vazhdojnë të merren me BDI-në, duke përsëritur akuza të shteruara”, thuhet në reagim.

Sipas BDI-së, përfaqësuesit e VLEN-it duhet të japin përgjigje për zhvillimet e fundit në Tetovë, në vend që të vazhdojnë me akuzat ndaj opozitës.

“Në vend që të japin llogari se si u lejua rikthimi i emrave të periudhës jugosllave dhe zhbërja e një pjese të identitetit historik shqiptar në Tetovë, ata vazhdojnë të kërkojnë fajtorë aty ku nuk janë. Kjo është dëshmi e mungesës së vizionit, guximit dhe përgjegjësisë politike”, vlerëson partia.

BDI në reagim i referohet edhe raportit të fundit të Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se institucionet evropiane kanë ngritur shqetësime për ndikimin e konceptit të ashtuquajtur “Botë Serbe”.

“Ironia është se ndërsa VLEN nuk sheh asgjë problematike në drejtimin që po merr shteti, Parlamenti Evropian në raportin e tij më të fundit ka ritheksuar shqetësimet për ndikimin e konceptit të ashtuquajtur ‘Botë Serbe’ në Maqedoninë e Veriut dhe në rajon. Institucionet evropiane e shohin rrezikun, e identifikojnë dhe e adresojnë atë publikisht. Por VLEN jo”, thuhet në kumtesë.

Partia opozitare rendit një sërë çështjesh për të cilat, sipas saj, VLEN ka heshtur.

“VLEN nuk e pa problem sjelljen në qeveri të eksponentëve që promovojnë narrativat e ‘Botës Serbe’. Nuk e pa problem depërtimin e ndikimeve politike dhe ekonomike që burojnë nga ky koncept. Nuk e pa problem sulmin ndaj Balancuesit. Nuk e pa problem relativizimin e mekanizmit të Badenterit. Nuk e pa problem përpjekjet për dobësimin e pozitës së gjuhës shqipe. Nuk e pa problem as vendimin që sot po kthen në Tetovë emra dhe simbole të një periudhe që shqiptarët e kanë tejkaluar historikisht”, thekson BDI.

Shfaq më shumë

NGA kategoria

Back to top button
Globi.mk