
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, njoftoi se nga 1 tetori 2026 në sistemin elektronik “Termini Im” do të vihet në funksion moduli i ri për deklarimin vullnetar të qytetarëve nëse pranojnë ose jo të dhurojnë organet dhe indet e tyre pas vdekjes.
Ky mekanizëm vjen pas miratimit, më 29 qershor, të ndryshimeve dhe plotësimeve në Ligjin për marrjen dhe transplantimin e pjesëve të trupit të njeriut për qëllime mjekimi, i cili u votua në Kuvend me 58 vota pro dhe 6 kundër. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, ligji forcon bazën ligjore dhe institucionale për dhurimin e organeve dhe transplantimin.
Aliu sqaroi se çdo qytetar madhor, gjatë vizitës te mjeku amë, do të ketë mundësi të deklarojë qartë nëse pajtohet ose nuk pajtohet që pas vdekjes të jetë dhurues organesh dhe indesh. Para dhënies së deklaratës, mjeku do të jetë i detyruar ta informojë qytetarin për rëndësinë e vendimit, pasojat ligjore dhe të drejtën për ta ndryshuar atë në çdo kohë.
Deklarata do të nënshkruhet personalisht nga qytetari, do të vërtetohet nga mjeku amë dhe do të ruhet në format PDF. Dokumenti i skanuar do të regjistrohet në Listën Kombëtare në kuadër të sistemit elektronik shtetëror. Në sistem do të evidentohen të dhënat bazë të qytetarit, data e deklarimit, mjeku amë dhe statusi i deklaratës – nëse është dhënë apo refuzuar pëlqimi për dhurim.
Ministri theksoi se qasja në këto të dhëna do të jetë rreptësisht e kufizuar, e kontrolluar dhe e regjistruar, ndërsa çdo hyrje në sistem do të lërë gjurmë dhe do të lejohet vetëm për personat e autorizuar sipas procedurave të përcaktuara. Ai shtoi se qytetarët do të kenë të drejtë ta ndryshojnë vendimin e tyre në çdo kohë, ndërsa në fuqi do të jetë gjithmonë deklarata e fundit e regjistruar.
Aliu bëri të ditur se paralelisht po përgatiten edhe aktet nënligjore që do të rregullojnë më hollësisht funksionimin e Listës Kombëtare, qasjen në të dhëna dhe formularin e deklaratës. Sipas tij, Ministria e Shëndetësisë synon që procesi të jetë plotësisht i përgatitur në aspektin teknik, institucional dhe komunikues, në mënyrë që të mos ketë paqartësi apo pasiguri rreth dhurimit të organeve.
Koordinatorja Kombëtare për Transplantim, prof. dr. Biljana Kuzmanovska, tha se ndryshimet ligjore janë hartuar në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, ekspertët e transplantimit, ekipet mjekësore dhe shërbimet juridike, duke u bazuar në përvojën praktike.
Ajo sqaroi se një nga sfidat kryesore ka qenë numri i ulët i pëlqimeve për dhurim, pavarësisht numrit të madh të donatorëve potencialë të identifikuar. Sipas saj, analiza ka treguar se problemi nuk qëndron te ekspertiza e mjekëve apo sistemi shëndetësor, por te mungesa e pëlqimit, prandaj me ligjin e ri vendimi individual i qytetarit vendoset në qendër të procesit.
“Pëlqimi individual është superior. Dhurimi i organeve është një akt etik, moral dhe personal. Kush dëshiron të dhurojë do të informohet dhe do ta marrë vendimin vetë, ndërsa askush nuk është i detyruar ta bëjë këtë”, tha Kuzmanovska.
Edhe ministri Aliu theksoi se deklarimi për dhurimin e organeve është plotësisht vullnetar dhe njoftoi se ai vetë do të jetë personi i parë që do të regjistrohet si dhurues organesh sapo sistemi të hyjë në funksion.
Ai shtoi gjithashtu se Ministria po punon edhe për ndryshime të tjera ligjore, të cilat do të mundësojnë zgjerimin e rrethit të donatorëve të gjallë edhe te të afërmit më të largët, si dhe për futjen e kartës së donatorit.



