
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikoloski, deklaroi gjatë një vizite në Tetovë se punimet për autostradën Tetovë–Gostivar po zhvillohen sipas dinamikës së planifikuar, ndërsa kilometrat e parë të përfunduar pritet të jenë të dukshëm gjatë vitit të ardhshëm.
Sipas tij, deri në fund të vitit 2028 autostrada do të jetë plotësisht e përfunduar, duke e cilësuar këtë projekt si një nga arritjet më të rëndësishme infrastrukturore.
Nikoloski njoftoi gjithashtu se, në bashkëpunim me Bashkimin Evropian dhe në kuadër të Planit për Rritje, po punohet intensivisht në dokumentacionin për ndërtimin e lidhjes hekurudhore mes Shkupit, Tetovës dhe Gostivarit. Projekti parashikon që në fazën e dytë linja të zgjatet drejt Kërçovës, ndërsa në fazën e tretë të përfshijë Ohrin, Strugën dhe lidhjen me Republikën e Shqipërisë.
Ai theksoi se synimi është krijimi i linjave moderne ndërqytetase të trenit, të cilat do të lehtësojnë trafikun, do të ulin ndotjen dhe do të përmirësojnë ndjeshëm transportin publik. Sipas Nikoloskit, nëse projekti ecën sipas planit, vitin e ardhshëm mund të nisin punimet konkrete, ndërsa brenda disa viteve qytetarët do të kenë mundësi të udhëtojnë nga qendra e Tetovës në qendrën e Shkupit për rreth 30 minuta.
Ai shtoi se ky projekt do të jetë vazhdimësi e nismës “Treni Urban” në kuadër të zhvillimit të transportit hekurudhor në Shkup.



