
Koalicioni VLEN ka reaguar pas miratimit të rikonstruimit të Qeverisë në Kuvend, duke vlerësuar se me këtë votim nis një fazë e re e qeverisjes, me përgjegjësi të shtuar dhe kuadro të reja në institucionet shtetërore.
“Me votimin e rikonstruimit të Qeverisë, Kuvendi konfirmoi se procesi i ndryshimit vazhdon.
VLEN po hyn në një fazë të re të qeverisjes me përgjegjësi të shtuar dhe me kuadro që mishërojnë profesionalizmin, dijen dhe integritetin.
Profesori Jeton Shasivari do jetë në krye të Ministrisë së Drejtësisë, Agon Ferati ministër për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, ndërsa Sedat Sulejmani do ta drejtojë Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit.
VLEN nga ky rikonstruim del edhe më i fortë politikisht, me gjithsej gjashtë ministri (vazhdojmë fuqishëm me kuadrot tanë edhe në Ekonomi, Mjedis Jetësor dhe Eurointegrime), si mision për të ndërtuar institucione më të forta dhe për t’u shërbyer qytetarëve me ndershmëri.
Ky nuk është thjesht një ndryshim emrash. Është një mesazh i qartë se institucionet duhet t’u shërbejnë qytetarëve, jo interesave partiake. Është fundi i logjikës së privilegjeve dhe fillimi i një qasjeje që matet me punë, rezultate dhe përgjegjësi.
Me një energji të re, me kuadro të përgatitur dhe me një vizion të qartë, VLEN do të vazhdojë të jetë zëri i qytetarëve dhe garantues i reformave që e çojnë vendin përpara.
Prandaj, ministrat tanë do të gjykohen nga puna, nga reformat dhe nga rezultatet që do të sjellin për qytetarët tanë.
Kësisoj ndërtojmë institucione të forta, mbrojmë interesin publik dhe dëshmojmë se politika mund të bëhet me dinjitet, profesionalizëm dhe vizion.
Me VLEN ndryshimi vazhdon”, thuhet në komunikatën e VLEN-it.



