
Zëvendësdrejtori i Drejtorisë së Doganave, Mustafa Dauti, sot realizoi vizitë në pikën kufitare Tabanoc, ku nga afër u njoh me punën e nëpunësve doganorë dhe me qarkullimin e udhëtarëve gjatë sezonit veror.
Dauti theksoi se Tabanoci është një nga pikat më të rëndësishme kufitare të vendit, pasi paraqet një arterie kyçe që e lidh Maqedoninë e Veriut me Evropën dhe nëpër të cilën kalon një pjesë e madhe e mërgatës.
“Dolëm sot në këtë pikë kufitare për t’iu uruar mirëseardhje bashkatdhetarëve tanë. Mërgata jonë është një vlerë shumë e çmuar dhe domethënëse për vendin tonë”, deklaroi Dauti.
Gjatë vizitës, ai vlerësoi angazhimin e doganierëve, duke theksuar se kontrollet po realizohen me përgjegjësi, përkushtim dhe efikasitet të lartë, me qëllim që procedurat të përfundojnë sa më shpejt.
Sipas tij, pavarësisht fluksit të shtuar të automjeteve dhe udhëtarëve, kalimi në pikën kufitare Tabanoc po zhvillohet në mënyrë të qetë, të shpejtë dhe dinjitoze.
Dauti nënvizoi se një nga arritjet e rëndësishme është zbatimi i sistemit “One Stop Shop” në disa pika kufitare, përfshirë edhe Tabanocin. Ky sistem ka thjeshtuar procedurat e kontrollit kufitar, ka reduktuar kohën e pritjes dhe ka lehtësuar ndjeshëm qarkullimin e qytetarëve, veçanërisht gjatë periudhave kur numri i udhëtarëve është më i lartë.



