
Andy Burnham do të bëhet sot kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar, duke zëvendësuar Keir Starmerin.
Starmer do të mbajë fjalimin e tij të fundit si kryeministër para mesditës, përpara se ai dhe Burnham të vizitojnë Mbretin Charles në Pallatin Buckingham.
Më pas, kryeministri i ri do të mbajë fjalimin e tij në Downing Street. Ai pritet të premtojë “më shumë hapësirë për frymëmarrje” për Britaninë, duke bërë thirrje për një politikë më “të qëndrueshme dhe të përgjegjshme”.
Udhëheqësja e konservatorëve, Kemi Badenoch, i ka uruar kryeministrit të ri “çdo sukses”, por ka pralajmëruar se ai po e nis detyrën e re pa një “plan të qartë”.
Burnham ka marrë drejtimin e Partisë Laburiste të premten, teksa vetëm pak javë më parë kishte arritur të hynte edhe në Parlamentin britanik.
Burnham do të jetë kryeministri i katërt gjatë mbretërimit të Mbretit Charles III, i cili nisi në vitin 2022.
Andy Burnham pason Keir Starmerin, Rishi Sunakun dhe Liz Trussin.
Kjo do të thotë se, edhe një herë, Mbreti do të kryejë rolin e tij si kreu i shtetit: do t’i japë lamtumirën kryeministrit në largim gjatë një takimi të fundit privat dhe më pas do të presë pasardhësin e tij.
E gjithë kjo zhvillohet në Pallatin Buckingham, ku kryeministri i ri sillet për t’u takuar me Mbretin dhe ku Burnham-it do t’i kërkohet të formojë qeverinë.
Dikur ky ritual njihej si “puthja e dorës” (kissing hands), pasi kreu i ri i qeverisë puthte dorën e monarkut, por sot gjithçka përmbyllet me një shtrëngim duarsh dhe një fotografi për historinë.



