BotaLajme

Gjenden trupat edhe të tre alpinistëve nga Bosnjë e Hercegovina që humbën jetën në malin Elbrus në Rusi

Trupat edhe të tre alpinistëve nga Bosnjë e Hercegovina, të cilët humbën jetën gjatë ngjitjes në malin Elbrus në Rusi fundjavën e kaluar, janë gjetur, raportuan mediat ruse, transmeton Anadolu.

Më 27 korrik, ekipi i kërkim-shpëtimit malor në Elbrus njoftoi se janë gjetur trupat edhe të tre alpinistëve. Ata po përgatiten për zbritje, transmetoi agjencia ruse TASS deklaratën e njësisë së specializuar të Ministrisë për Situata të Jashtëzakonshme, e cila është angazhuar në operacionin e kërkim-shpëtimit të alpinistëve.

Shtatë alpinistë nga Bosnjë e Hercegovina u nisën më 24 korrik për ngjitje në Elbrus, por grupi humbi drejtimin e lëvizjes pasi kushtet e motit u përkeqësuan.

Një anëtar i grupit arriti të zbresë vetë dhe t’i njoftojë autoritetet kompetente se dy alpinistë, në një lartësi prej rreth 5.100 metrash, ishin ndjerë keq dhe kishin ndërruar jetë. Trupat e tyre ishin gjetur dhe evakuuar më herët.

Më pas, ekipet e shpëtimit gjetën edhe një të mbijetuar tjetër nga grupi si dhe trupat e tre alpinistëve të tjerë të zhdukur. Nga shtatë anëtarët e grupit, pesë alpinistë humbën jetën. Dy mbijetuan.

Organet hetimore ruse kanë nisur verifikime paraprake lidhur me vdekjen e turistëve të huaj, thuhet në raportimin e TASS-it, i cili transmeton edhe deklaratën e Aleksandar Jakovenkos, kryetar i Komisionit për Alpinizëm Klasik të Federatës Ruse të Alpinizmit (RMF), sipas të cilit gjatë dy muajve të fundit 11 persona kanë humbur jetën gjatë ngjitjes në Elbrus.

Elbrusi, me lartësi prej 5.642 metrash, është maja më e lartë e Rusisë dhe Evropës, e njohur për kushtet jashtëzakonisht të vështira dhe shpesh të paparashikueshme të motit.

Shfaq më shumë

NGA kategoria

Back to top button
Globi.mk