Kasam Selimi, gazetari gostivaras që në Zvicër nisi gjithçka nga zeroja
Gazetar në media, themelues i njërit prej portaleve të para në gjuhën shqipe në Gostivar dhe më gjërë “Radio Vala”. Drejtues i shërbimit për Informim në Ministrinë e Vetëqeverisjens Lokale dhe Komunës së Gostivarit. Me pak fjalë, ky është Kasam Selimi, njeriu, miku ynë që na shoqëroi gjatë gjithë kohës neve si ekip i emisionit “Diaspora” në Zvicër. Ai është mesin e të rinjëve të fundit që kanë migruar nga Gostivari për të kërkuar një të ardhme më të mirë. Profesionin e gazetarisë e ushtron edhe në Zvicër dhe sot është zëri thuajse i vetëm i sportistëve shqiptarë në këtë tokë të huaj. Intervistën e zhvilluam në banesën e tij në Bern, ku ai na priti me familjen, bashkëshorten Florën dhe dy fëmijët Gentin dhe Vlorën.
“Mendimet dhe ideja për të ta lënë vendlindje ka ekzistuar, por gjithmonë thonim ndoshta sot ose nesër dhe e shtyenim, kur erdhi momenti, e vendosëm aty për aty se duhet ta kërkojmë perspektivën, dhe ne kërkonim një zhvillim të shpejtë të familjes sonë dhe menduam se zgjidhja do të jetë mërgimi. Tani, kur erdhëm në mërgim, e pamë se nuk është aq e shpejtë, nuk shkojnë gjërat aq shpejtë sa i mendon njeriu, pasi edhe këtu ka dallim nga ajo që na thonin njerëzit kur vinin atje. Realisht ishte një vendim për shumicën, një pjesë bukur të mirë të shokëve, i papritur, por unë e ndava mendjen. Ajo çfarë ishte, çfarë kisha bërë në të kaluarën time deri në ato momente në vendlindje, ishte të kisha kontribuar me mundësit e mija, mos kisha bërë ndonjë dëm me vetëdije, në dëm të njerëzve, në dëm të shoqërisë, në dëm të qytetit, dhe mburem me atë çfarë kam mundur të bëjë. Më vjen keq, ndoshta kam mundur të jap edhe më shumë kontribut, por tani mundohem që atë kontribut që do e jepja në vendlindje, ta jap tash për një pjesë të vendlindje këtu, por edhe për mbarë shqiptarinë që janë këtu në mërgim”, deklaron Kasam Selimi, gazetar.
Fillimet e të riut ambicioz nga Korita e Gostivarit, kanë qenë si fillimet e gjithë mërgintarëve, luftë për ekzistencë në Zvicër. Një herë vështirësi për të gjetur punë, pastaj barriara gjuhësore. Punën e parë e ka filluar në ndërtimtari, një zanat që kurrë nuk e kishte menduar. Sfida ka qenë e madhe, por ka vendosur të mos dorëzohet për hirë të familjes dhe fëmijëve.