
Emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar do të qëndrojë sot për vizitë zyrtare në Kosovë.
Në njoftimin e Presidencës, thuhet se Escobar në orën 8:45 do të pritet në takim nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Pas takimit, presidentja Osmani dhe zëvendës ndihmës sekretari i Shtetit, Escobar, do të adresohen për media.
Escobar do të takohet edhe me kryeministrin Albin Kurti.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Escobar dhe Kurti do të takohen në ora 9:50, dhe se mediat do të mund të marrin pamje në oborrin e ndërtesës së Qeverisë.
Vizita e Escobarit më 19 tetor në Kosovë vjen në kohën kur thuhet se Franca dhe Gjermania u kanë ofruar një propozim liderëve të Kosovës dhe Serbisë, që do të mund të ishte një kornizë e re për dialogun midis dy shteteve për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për normalizimin e raporteve.
Kujtojmë se vizita e fundit e Escobarit në Kosovë ndodhi më 26 gusht ku bashkë me të ishte edhe emisari special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.