Bllokuesi më i madh i Kuvendit është vetë kryeparlamentari. Talat Xhaferi nuk ka lejuar në Kuvend të debatohet për fatkeqësinë me spitalin modulat në Tetovë dhe tragjedinë me autobusin e “Besa Trans” në Bullgari, e as për pyetje të tjera që vijnë nga ana e qytetarëve. Kështu tha mbrëmë i ftuar në edicionin informativ në TV Globi, deputeti i ASH-së, Halil Snopçe.
Deputeti Snopçe theksoi se kryeparlamentari Xhaferi edhe pse ASH ka disa ligje të propozura para një muaji, nuk i ka vendosur në rend dite të seancës së djeshme, por ka vendosur ato të VMRO-DPMNE-së të cilat si propozime kanë ardhur vetëm një ditë para mbjatjes së seancës 71, e cila sot kaloi në Kuvend mes përplasjeve me kryeparlamentarin dhe deputetëve nga opozita maqedonase.
“Ne kemi ligje në rrjedhë e sipër që i kemi propozura nga data 23 Prill, a VMRO-ja i ka porpozura dy ditë përpara dhe i vendosi në rend dite ditën e djeshme. Edhe kjo është një bllokazhë siç theksova më herët se Xhaferi është bllokuesi më i madh. Jemi në procedurë e sipër për porpozim të shumë logjeve të rëndësishme: Për kazinot, Ligjin për Arsim të Mesëm dhe Fillor, Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe të barabartë, ligje të cilat janë esenciale dhe ne nuk duam që të defokusohet opinioni dhe të hidhet topi në një terren tjetër dhe të merret me bllokazhën dhe të mos merremi me këto ligje”, theksoi Halil Snopçe, deputet i ASH-së.
Ai tha se ASH është parti autonome dhe nuk do ti bashkangjitet bllokadës së VMRO-DPMNE-së dhe shtoi se nuk kanë pasur ftesë zyrtare nga Hristjan Mickoski për veprim të përbashkët.
“Pasi VMRO-DPMNE e kishte sjellur vendimin, Mickoski doli në media e bëri të ditur atë dhe ftoi ti bashkangjitet edhe opozita shqiptare. Ne nuk do bashkangjitemi në projeksione të këtilla”, tha më tej deputeti i ASH-së, Halil Snopçe.
Ai tha se si subjekt politik do presin deri me datë 22 Qershor nëse vendi do të marrë datë për fillim të bisedimeve me BE-në dhe do të ketë sjellje konstruktive në Kuvend që mos akuzohen pastaj se ata kanë qenë pengesa e hapjes së negociatave, por assesi nuk do ti formojnë kuorum shumicës në Kuvend.
Sipas tij, vendi nuk merr datë në Qershor dhe pastaj si subjekt politik do të veprojnë ndryshe në Kuvend.
Snopçe ripërsëriti se ASH vazhdon të kërkojë zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe ato sipas perceptimit të tij do të mbahen në vjeshtë të këtij viti.