LajmeMaqedoni

KE: Rritet numri i e-shërbimeve për qytetarët, por duhet të miratohet Strategjia e TIK-ut

Maqedonia e Veriut është mesatarisht e përgatitur në fushën e transformimit digjital dhe mediave. Është arritur një progres i kufizuar, i cili konsiston në një rritje të lehtë të numrit të shërbimeve elektronike për qytetarët dhe bizneset, thekson Komisioni Evropian në Raportin për vitin 2023 për progresin e vendit në rrugën drejt integrimeve evropiane, raporton Portalb.mk.

Komisioni Evropian thekson se këtë vit vendi iu bashkua Programit të Evropës Digjitale dhe se u zhvilluan më tej shërbimet e numrit evropian të urgjencës 112.

Megjithatë, mbeten rekomandimet e vitit të kaluar në lidhje me finalizimin dhe miratimin e një Strategjie afatgjatë të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK), miratimin e një Strategjie Kombëtare të Sigurisë Kibernetike për periudhën 2023-2027 dhe për harmonizimin e legjislacionit kombëtar me Kodin Evropian të Komunikimeve Elektronike, Direktivën e BE-së për zvogëlimin e internetit me shtrirje të gjerë, Direktivën e Sigurisë së Sistemeve të Informacionit dhe Rrjetit, si dhe mjetet 5G.

Komisioni rekomandon edhe përmirësimin e funksionimit të numrit të urgjencës 112 me sigurimin e burimeve të mjaftueshme njerëzore, si dhe me përmirësimin e komunikimit ndërmjet shërbimeve të urgjencës.

Maqedonia e Veriut vazhdoi të marrë pjesë me sukses në Agjendën Digjitale për Ballkanin Perëndimor dhe ka përfituar nga marrëveshja rajonale për heqjen e roaming-ut, thekson KE-ja.

“Në përputhje me qëllimet e planit operativ nacional për internet me shtrirje të gjerë për periudhën 2019-2023, në Shkup u zgjerua sinjali 5G. Autoritetet vazhduan t’i zbatojnë aktivitetet e përfshira në Strategjinë Kombëtare të Sigurisë Kibernetike 2018-2022. Megjithatë, nevojitet një koordinim dhe bashkëpunim më i mirë ndërinstitucional”, thuhet në raport.

Më shumë se 86% e amvisërive kanë qasje në internet, por vetëm tek 2,5% e tyre është ultra i shpejtë

Kur bëhet fjalë për komunikimet elektronike dhe teknologjitë e informacionit është shënuar se në vitin 2022 mbi 75 përqind e të gjitha amvisërive kanë pasur qasje në internet fiks me shtrirje të gjerë. Pranimi i internetit në celular është rritur në 86,12 përqind.

Nga ana tjetër, vetëm 2,53 përqind e familjeve maqedonase kanë pasur qasje në internet ultra të shpejtë.

Në raportin e Komisionit Evropian gjithashtu theksohet edhe se Agjencia për Komunikime Elektronike (AKE) nuk mbledh të dhëna për qasjen në internet në shkolla, spitale dhe ndërmarrje.

„Kjo agjenci ka dhënë leje për përdorimin e radiofrekuencave për 5G. Operatorët e telekomunikacionit vazhduan të investojnë në të gjithë vendin”, thuhet në raport, duke shtuar se nuk është bërë përparim në harmonizimin e kornizës ligjore për komunikimet elektronike me të drejtën e BE-së.

Rekomandohet përforcimi i harmonizimit me Aktin Evropian të Tregjeve Digjitale, me qëllim që të sigurohet parashikueshmëria për komunitetin e biznesit.

Komisioni thekson se tregu maqedonas i telekomunikacionit mbetet i dominuar nga dy operatorët më të mëdhenj celularë.

Sa i përket transformimit digjital, komisioni nënvizon se nuk është miratuar Strategjia e TIK-ut për periudhën 2021-2026 dhe se aktivitetet për zhvillimin e aftësive digjitale duhet të ndërtohen dhe të mbështeten me masa konkrete.

Kur bëhet fjalë për sigurinë kibernetike, thuhet se Agjencia e Komunikimeve Elektronike promovoi Qendrën për mbrojtje nga incidentet kompjuterike. Incidente të tilla janë raportuar në 145 subjekte – institucione shtetërore, banka, institucione shëndetësore, por edhe institucione dhe organizata që operojnë në fushën e energjetikës, transportit dhe komunikimit.

“Nevojitet një koordinim dhe bashkëpunim ndërinstitucional më i mirë për sigurinë kibernetike dhe për të forcuar kapacitetet e Këshillit Kombëtar të Sigurisë Kibernetike. Institucionet shtetërore duhet të forcojnë më tej kapacitetet dhe infrastrukturën e tyre kibernetike”, thuhet në raportin e Komisionit Evropian.

KE mendon se duhet të sigurohet “pavarësia e plotë” e rregullatorit për komunikimet elektronike – AKE.

Mungesa e softuerit të komunikimit – problem për interoperabilitetin

Portali kombëtar i shërbimeve elektronike është përmirësuar, thuhet në raport. Megjithatë, numri i shërbimeve digjitale të ofruara përmes e-portalit qeveritar mbetet modest – 392 dhe kryesisht përbëhet nga shërbime që kërkohen dhe përdoren rrallë nga 96.940 përdoruesit e regjistruar.

Por, në shënimin për platformën e interoperabilitetit thuhet se edhe pse numri i institucioneve të lidhura me të është rritur, shumica e tyre nuk e përdorin atë për shkak të mungesës së softuerit të komunikimit.

“Për modernizimin dhe digjitalizimin e sektorit publik akoma nevojiten më shumë përpjekje dhe bashkëpunim më i mirë ndërmjet institucioneve. Cilësia e të dhënave në regjistrin e popullatës duhet të përmirësohet vazhdimisht dhe të kontrollohet me regjistrat e tjerë”, thuhet në raport.

Poashtu është theksuar se blerjet online kanë shënuar rritje, por kur bëhet fjalë për e-tregtinë dhe konkurrencën digjitale, mbledhja e të dhënave bazuar në treguesit e ekonomisë digjitale dhe shoqërisë duhet të përmirësohet.

Show More

Related Articles

Back to top button