LajmeMaqedoni

LSDM nuk heq dorë: Së pari zgjedhjet presidenciale, pastaj ato parlamentare në afatin e rregullt

Partia në pushtet LSDM është e qartë se zgjedhjet në vend duhet të mbahen sipas afateve ligjore dhe kushtetuese.

Zëdhënësi i saj, Darko Kaevski theksoi se fillimisht në pranverë të 2024 do të mbahen zgjedhjet presidenciale, ndërsa më pas ato parlamentare, në përputhje me afatet kushtetuese.

“Qëndrimi ynë për datën e zgjedhjeve është parimor, që në fillim ne thamë se së pari do të mbahen zgjedhjet presidenciale ndërsa pastaj në afatin e rregullt ligjor do të mbahen zgjedhjet parlamentare. Në pjesën e grupeve të punës, po pres koordinim gjatë javës së ardhshme me të gjitha partitë politike në Kuvend që të hapet kjo çështje dhe ne si parti politike jemi të gatshëm dhe do të emërojmë anëtar për caktimin e datës së saktë për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare sipas ligjeve”, deklaroi Kaevski.

Ky qëndrim vjen pasi që opozita po vijon me kërkesën për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale në pako me ato parlamentare. Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi paralajmëroi se nëse deri në fund të vitit nuk ka marrëveshje mes partive politike për caktimin e zgjedhjeve, ai do të shpallë ato konform kompetencave të tij.

Show More

Related Articles

Back to top button