Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se pas dy ditësh në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel do të diskutohet për draftin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është duke qëndruar sot në Beograd.
“Ne e pranuam ftesën e zotit Lajçak për t’u takuar në Bruksel pas dy ditësh, ku do të vazhdojnë bisedimet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Pala jonë është shumë e përgatitur dhe shkon me një ekip të veçantë ekspertësh ku do të diskutojmë tekstin e statutit të Asociacionit, që është hapi i parë konkret drejt formimit të Bashkësisë së komunave serbe”, ka thënë Petkoviqi në një konferencë për media pas takimit mes Lajçakut dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ku edhe Petkoviq mori pjesë.