LajmeMaqedoni

A do të sjell torbulenca në qeveri ligji i ri i Llogës?

Plotësimet e Ligjit për Prokuroritë Publike është ligji i dytë i propozuar nga ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, i cili mund të pezullohet, pasi nuk kaloi as propozimi për ligjin e amnistisë i partnerit qeveritar Aleanca për Shqiptarët. Ministri nuk ishte i disponueshëm të përgjigjet nëse do ta shtyjë projektligjin pa pjesëmarrjen e VMRO-DPMNE-së, pa mbështetjen e LSDM-së dhe nëse fiasko eventuale do të jetë arsyeja që Aleanca të largohet nga qeveria, shkruan PRESSonline.al

Mundet që një ligj tjetër i propozuar nga ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga të mos marrë mbështetjen e mazhorancës në Kuvend, pasi së fundmi anëtarët e qeverisë nuk e mbështetën ligjin për amnistinë dhe Aleanca për Shqiptarët e interpretoi këtë si revanshizëm i LSDM-së për mospërkrahjen e ministrit dhe partisë së tij për ndryshimet në Kodin Penal.

Sipas informacioneve të “Sloboden Peçat”, ndryshimet në Ligjin për Prokurorinë Publike janë ligji i dytë i propozuar nga Lloga, i cili mund të pezullohet. Aleanca për Shqiptarët u gjend e fyer dhe e poshtëruar pasi nuk kaloi Projektligji për Amnistinë dhe është pikërisht ndryshimi i Ligjit për Prokurorinë Publike që mund të jetë shkas që Arben Taravari, siç ka paralajmëruar tashmë, të rrëzojë Qeverinë.

Në takimin që Lloga e caktoi ditën e djeshme për koordinim për ndryshimin e Ligjit për Prokurorinë Publike, koordinatori i Grupit Parlamentar të VMRO-DPMNE-së Nikolla Micevski informoi se nuk do të marrë pjesë. Përfaqësues nga grupi parlamentar i LSDM-së do të ketë, por siç informojnë nga LSDM-ja për “Sloboden Peçat”, nuk do të ketë mbështetje blanko për amendamentet e përgatitura nga Lloga.

Sipas informacioneve të deputetëve, ndryshimi i ligjit parashikon futjen e sistemit AKMIS për rishpërndarjen elektronike të lëndëve në Prokurori, për të cilën askush nuk ka kundër. Kontestohet se Lloga propozon që një komision nga Ministria e Drejtësisë të ketë qasje mbikqyrëse ndaj tij.

– Një dispozitë në ligjin për Prokurorinë Publike nuk mund të arrijë qëllimin që duhet të arrihet. Pra, po, futja e monitorimit elektronik dhe caktimit të çështjeve në prokurori është e nevojshme, por duhet konsideruar se është e adresuar në mënyrë adekuate në ligj, duke pasur parasysh kompetencat dhe kontrollin. Vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet se çfarë autoriteti është Prokuroria Publike, cilat janë kompetencat e saj, vartësia dhe hierarkia që i garantohet. Duhet të jeni shumë të kujdesshëm. Po, nevoja për futjen e shpërndarjes dhe përcjelljes elektronike të lëndëve, si në gjyqësor, nuk është e diskutueshme. An-blloku sigurisht që nuk do të ketë mbështetje – informuan deputetët e LSDM-së, përcjell PRESSonline.al

Komisioni i propozuar nga Lloga duhet të përfshijë dy avokatë me përvojë dhjetë vjeçare dhe me provim të dhënë të jurisprudencës, dy ekspertë të informatikës, ndërsa mund të angazhohen edhe ekspertë të jashtëm dhe sipas planit që do të miratonte ministri, ata të mbikëqyrin sistemin për shpërndarje elektronike të lëndëve. Kontestohet nëse ai komision mund të ketë njohuri për rastet që janë në hetim paraprak.

Muajin e kaluar Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se do të mbikëqyrë sistemin për shpërndarje elektronike të lëndëve në prokuroritë publike. Në atë kohë, Ministria sqaroi se miratimi i ligjit për plotësimin e Ligjit për Prokurorinë Publike buron nga nevoja për të forcuar mekanizmat për shpërndarjen elektronike të lëndëve në prokuroritë publike dhe specifikon kompetencën e autoriteteve dhe organeve të përcaktuara nga ligji për kryerjen e mbikëqyrjes. Ministria asokohe bëri të ditur se ndryshimi i propozuar është në përputhje me synimin themelor të Qeverisë për anëtarësim në BE dhe është në frymën e reformave në fushën e drejtësisë dhe avancimit të saj të mëtejmë.

Përveç koordinatorëve të grupeve parlamentare, Lloga ftesë për takimin koordinues ka dërguar edhe për zëvendëskryeministren për politika të qeverisjes së mirë Sllavica Grkovska, Këshillit të Prokurorëve Publikë dhe Këshillit Gjyqësor, Prokurorisë Publike, Prokurorive të Larta Publike, Prokurorisë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar, Shoqatave të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve Publikë,si dhe Blueprint grupit.

Micevski: Për ne u kujtuan pesë minuta para 12-tës

Koordinatori i Grupit Parlamentar të VMRO-DPMNE-së bëri të qartë se nuk do të shkojë në takimin koordinues që Lloga e kishte caktuar dje pasdite në Ministrinë e Drejtësisë për projektligjin për prokurorinë. Në letrën e dërguar nga ministri, shkruhet se takimi është për të siguruar gjithëpërfshirje në proces dhe mundësi që deputetët të japin sugjerimet dhe propozimet e tyre që do të kenë rëndësi të veçantë për finalizimin e projektligjit.

– Por kurthi dhe problemi nuk janë te forma, por te thelbi dhe qëllimi i sinqertë. Është tejet joserioze dhe e pasaktë për një projektligj kaq të rëndësishëm, Qeveria dhe mbi të gjitha Ministria e Drejtësisë, në mënyre popullore thënë, në 5 min para 12-tës të kujtohen të ftojnë dhe të përfshijnë grupin më të madh parlamentar në Kuvend për të marrë pjesë në miratimin e këtij ligji. Problemi është se ftesa për “përfshirjen e opozitës në këtë proces” po dërgohet për material tashmë të përgatitur dhe pas hartimit të tekstit të ligjit – thotë koordinatori Micevski.

Ai shton se është shumë e rëndësishme që ndryshimi i Ligjit për Prokurorinë Publike bëhet nga Kuvendi me shumicë prej dy të tretash, që do të thotë se pa grupin parlamentar të VMRO-DPMNE-së është i pamundur finalizimi i këtij procesi.

– Ky është një fakt që qeveria e ka njohur prej kohësh ose duhet ta dinte. Gjithashtu, siç e di ose duhet ta dijë, është se grupi më i madh parlamentar në Kuvend është dashur të përfshihet në këtë proces që në fillim të përgatitjes së Projektligjit për Prokurorinë Publike, dhe jo në një punë të përfunduar. Prandaj, mendoj se ftesa e dërguar është një tjetër tregues i qartë se kjo është një përpjekje për të kërkuar një alibi kur qeveria do të përballet me realitetin, që për shkak të qëndrimit injorant ndaj grupit më të madh parlamentar në Kuvend, ky proces nuk do të ketë sukses – është decid Micevski, përcjell PRESSonline.al

Ministri nuk ishte i disponueshëm të përgjigjet nëse do ta shtyjë projektligjin pa pjesëmarrjen e VMRO-DPMNE-së, pa mbështetjen an-block nga partneri qeveritar LSDM dhe nëse fiasko e mundshme e ligjit do të jetë arsyeja që Aleanca të largohet nga qeveria. Kreu i Aleancës, Taravari tashmë ka bërë të ditur se po mendojnë të largohen nga Qeveria nëse nuk kalojnë ndryshimet kushtetuese. Për hapat e ardhshëm, Taravari do të konsultohet me përfaqësuesit ndërkombëtarë sepse, siç thotë ai, nuk dëshiron që ata të shkaktojnë telashe në kohë të vështira.

– Kemi dyshime nëse do të vazhdojmë. Deri në fund të nëntorit mund të na duhet të mbajmë një seancë të kryesisë qendrore, për të analizuar të gjitha mundësitë dhe nuk përjashtohet mundësia për të shkuar në opozitë. Kjo është një kohë e turbullt kur nuk dihet se kush për kë punon. Na duhen edhe udhëzime nga ata që i quajmë miqtë tanë dhe të dimë se cilën rrugë të marrim – tha Taravari, përcjell PRESSonline.al

Ai njoftoi se pret të takohet me kryeministrin Dimitar Kovaçevski këto ditë pasi nuk u miratua ligji i fundit për amnisti.

Taravari taktizon edhe për shkak të frikës nga përçarjet në Aleancën për Shqiptarët

Nga ASH bëjnë me dije se taktika e Taravarit për të qëndruar në Qeveri është për shkak të frikës së ndarjes së partisë. Janë tri rryma në parti – zyrtarë që pretendojnë të mbeten në qeveri, një pjesë e zyrtarëve partiakë që brohorasin për të shkuar në opozitë dhe për të bashkuar forcat me Lidhjen Evropiane për Ndryshim të Mexhitit, Gashit dhe Kasamit dhe një pjesë më e vogël janë ata që mendojnë se duhet të shkojnë vetë në zgjedhje. Deklaratat e Taravarit për dalje të pavarur në zgjedhje interpretohen si blerje kohe. Taravari ka oferta si nga BDI ashtu edhe nga opozita e bashkuar shqiptare për një dalje të përbashkët në zgjedhje. Nëse Aleanca largohet nga “Ilindenska”, qeveria do të bjerë, sepse pa tetë anëtarët e ASH-së nuk do të ketë shumicë. Kjo do të ishte hera e parë që një qeveri bie. Nëse kjo ndodh, supozimet janë se presidenti i shtetit do t’i japë kryeministrit një shans për të siguruar shumicën, nëse nuk e bën këtë, kryetari i Kuvendit do të shpërndajë parlamentin dhe do të shpallë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Në një rast të tillë, në vend që palët të bien dakord për datën e zgjedhjeve dhe nëse ato do të mbahen në të njëjtën ditë, do të krijohet një situatë që fillimisht të zhvillohen zgjedhjet parlamentare dhe më pas ato presidenciale.(PRESSonline.al)

Show More

Related Articles

Back to top button