LajmeMaqedoni

ShGM dhe SPGPM sot në protestë për shkak të vendimit skandaloz ndaj gazetarëve të IRL-së

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë dhe Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatik, sot, më 17 nëntor 2023, në ora 11:00 do të zhvillojë protestë para Gjykatës Civile në Shkup, njofton Portalb.mk, përcjell TvGlobi.

“Të ngremë zërin kundër praktikës gjyqësore të sjellur me vendimin ndaj Laboratorit të Gazetarëve Investigativ, me të cilin gjykata i ngarkoi vetes rolin e përcaktimit se kush mund dhe kush nuk mund të jetë gazetar. Gjykata nuk ka të drejtë të përcaktojë se cilat media online dhe organizata të shoqërisë civile lejohen të angazhohen në gazetari. Deklaratat për shtyp janë planifikuar për në orën 11:30. Vend grumbullimi i protestës është platoja përballë Qendrës Kulturore Rinore në orën 10:40, prej nga do të drejtohemi drejt Gjykatës Civile”, thuhet në njoftimin e ShGM-së.

Në seancën gjyqësore të 10 nëntorit, në Gjykatën Themelore Civile në Shkup, para të pranishmëve në sallën e gjyqit, gjykatësja Jovanka Spirovska Paneva e shpalli aktgjykimin lidhur me padinë për përgjegjësi civile për fyerje dhe shpifje nga Koço Angjushev, ish-zëvendëskryeministër në Qeverinë e RMV-së. Padia ishte kundër Laboratorit të Reporterëve Hulumtues (IRL) dhe kryeredaktores Sashka Cvetkovska.

“Vendimi ishte skandaloz dhe gjyqtarja që në një kohë e mbronte Sasho Mijalkovin tani është kthyer në mbrojtje të Koço Angjushevit. Siç shpjegoi edhe vetë aktgjykimi: e drejta private, e drejta e biznesit dhe interesi privat ishin më të forta se liria e fjalës. Kaq mund të thuhet për këtë vendim skandaloz. Kjo gjyqtare e humbi aktgjykimin e parë ndaj Mijallkovit në Strasburg, kolegët e ‘Fokusit’ e fituan rastin dhe ne do të kemi të njëjtën procedurë”, tha Cvetkovska.

Gjyqtarja Jovanka Spirovska Paneva, e cila vendosi në rastin “Feroinvest kundër IRL”, kontestoi statusin e gazetarëve në IRL në arsyetimin e aktgjykimit dhe pretendon se IRL nuk është media, gjegjësisht IRL nuk është shoqatë për raporte gazetareske.

“IRL nuk ka as statusin e medias, si mjet për informimin e publikut sipas Ligjit për media, ndërsa anëtarët e saj nuk kanë statusin e gazetarit dhe as që mund të bëjnë për informim të publikut. Emisionet gazetareske, paraqiten si gazetarë apo merren me zhanrin e gazetarisë investigative dhe të gjitha këto ta publikojnë përmes mjeteve të informimit publik”.

SHGM, SPGPM dhe KEMM konsiderojnë se aktgjykimi paraqet një disfatë, e cila e vendos interesin privat të një biznesmeni të fuqishëm para interesit publik dhe interesit të qytetarëve dhe nuk u mor parasysh parimi i një pragu më të lartë të tolerancës ndaj kritikave që duhet të ekzistojë tek personat pubik, veçanërisht ata që mbanin poste të larta publike.

Për këtë rast, si Federata Evropiane e Gazetarëve (FEG) poashtu edhe Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (FNG) kanë pasur një reagim për transparencën, por edhe për vetë vendimin. Shoqatat e gazetarëve do të vazhdojnë të monitorojnë gjithë procesin deri në përfundimin e tij.

“Prandaj i kërkojmë publikut të qëndrojë i përmbajtur, të mos përdorë komente fyese dhe shpifëse, sepse rezultati do të pasojë me shfrytëzimin e të gjitha  mjeteve juridike”, përfunduan shoqatat gazetareske.

Show More

Related Articles

Back to top button