LajmeRajon

Stoltenberg në Sarajevë: Jemi të shqetësuar nga retorika e ndarjes dhe ndikimi rus

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha të hënën në Sarajevë se aleanca veri-atlantike ndihet e shqetësuar nga retorika e ndarjes dhe me ndikimi rus në rajon.

Kjo ishte vizita e parë e shefit të NATO-s në Bosnjë e Hercegovinë, pas të cilës ai do të mbërrijë në Kosovë pasditen e sotme.

“Ajo kërcënon minimin e stabilitetit dhe dobësimin e reformave. Të gjithë liderët duhet të punojnë për të ecur përpara. Për ne është tejet me rëndësi dhe ne jemi të përkushtuar për sigurinë dhe stabilitetin e këtij rajoni, dhe vendit tuaj i cili ka shumë rëndësi për rajonin e Ballkanit Perëndimor, prandaj ne po e thellojmë dialogun politik dhe bashkëpunimin tonë praktik”, tha Stoltenberg në Sarajevë.

Ai shtoi se aleatët “e mbështesin fuqishëm sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë e Hercegovinës”.

Stoltenberg bisedoi edhe me kryetaren e Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Borjana Krishto, mëngjesin e së hënës.

Krishto tha se Bosnjë e Hercegovina është pjesë e Planit të Veprimit të Anëtarësimit (MAP), i cili, sipas saj, tregon se ka vendim politik nga NATO-ja se ajo mund të bëhet anëtare e aleancës.

“Ne duhet ta arrijmë një konsensus politik dhe përmes dialogut të vijnë deri te pozicionet të cilat janë shumë të rëndësishme për Bosnjë e Hercegovinën kur bëhet fjalë për bashkëpunimin me NATO-n”, tha Krishto.

Përfaqësuesi i lartë i Bosnjë e Hercegovinës, Christian Schmidt, tha pas takimit me Stoltenbergun se është e nevojshme ndërtimi i besimit në sundimin e ligjit në Bosnjë e Hercegovinë, dhe se kjo është, në mesin e shumë gjërave, përgjegjësi e politikanëve vendorë.

“Po punojmë rreth kësaj dhe kemi nevojë për mbështetjen e BE-së dhe NATO-s”, tha Schmidt.

Stoltenbergu e theksoi rëndësinë e përfaqësuesit të lartë për proceset e pajtimit në Bosnjë e Hercegovinë, duke shtuar se “çfarëdo tentimi për ta minuar pozicionin e tij do ta kthejë mbrapa Bosnjë e Hercegovinën”.

Stoltenberg mbërriti në Bosnjë të dielën vonë dhe darkoi me anëtarët e Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës.

Denis Beçiroviq, anëtar i Presidencës së Bosnjes, njoftoi në Facebook se gjatë vizitës, shefi i NATO-s tha se aleanca ushtarake mbetet garantues i sigurisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Bosnjë e Hercegovinës.

“Ai tha se NATO-ja nuk e aprovon një retorikë e cila nxit ndarje dhe e rrezikon funksionimin e institucioneve të shtetit të Bosnjë e Hercegovinës. Ai, po ashtu, nënvizoi se rrugët e Bosnjë e Hercegovinës drejt Evropës dhe NATO-s janë të qëndrueshme, dhe se NATO-ja do t’i mbështet proceset e reformave, të cilat e sjellin Bosnjë e Hercegovinën më pranë NATO-s dhe Bashkimit Evropian”, shkroi Beçiroviq.

Më parë, Stoltenberg kishte deklaruar se Bosnja e Hercegovina, bashkë me Gjeorgjinë dhe Moldavinë, i përkasin vendeve që e meritojnë një vëmendje të veçantë nga NATO-ja.

Rruga e Bosnjë e Hercegovinës drejt NATO-s
Më 2010, Bosnja e Hercegovina u ftua për t’iu bashkuar MAP-it, i cili është hapi i parë drejt pranimit në aleancë, por, njëkohësisht, nuk parashikon ndonjë vendim për anëtarësim në të ardhmen.

Si pjesë e MAP-it, bashkëpunimi i vendit me NATO-n është i strukturuar përmes Programit Reformues të Bosnjë e Hercegovinës, i cili nënvizon reformat të cilat Qeveria synon t’i ndërmarrë, dhe lehtëson përkrahjen nga NATO-ja për këto përpjekje.

Në korrik, liderët e vendeve të NATO-s u thanë vendeve të Ballkanit Perëndimor se ky rajon ka rëndësi strategjike për aleancën, si dhe e konfirmuan përkushtimin e tyre për sigurimin dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.

Ata i mbështetën reformat të cilat i forcojnë synimet e vendeve në rajon drejt NATO-s dhe BE-së, siç theksohet edhe në dokumentin e 11 korrikut, në fund të ditës së parë të samitit të mbajtur në kryeqytetin e Lituanisë, Vilnius.

“Ne do të vazhdojmë ta përmirësojmë dialogun politik dhe bashkëpunimin praktik në mënyrë që t’i mbështesim reformat, paqen dhe sigurinë rajonale dhe ta luftojmë ndikimin dashakeq, përfshirë dezinformimin, kërcënimet hibride dhe kibernetike nga aktorët shtetërorë dhe joshtetërorë”, thanë asokohe liderët e aleancës ushtarake.

Show More

Related Articles

Back to top button