I gjithë spektri politik, por edhe shoqëria në përgjithësi kanë akuzuar ashpër sjelljen vandale të të dy deputetëve të partisë e Majta, të cilët gjatë seancës së djeshme Parlamentare kanë thyer monitorin dhe kanë demoluar inventarin e tryezës së kryesuesit të seancës në sallën plenare, në këtë mënyrë duke kërkuar ndërprerjen e seancës. Analisti politik, Sefer Selimi, për TVM2 ka pohuar se këto veprime të së Majtës është kombinim i të Majtës me nacionalizmin, është definim i thjeshtë i nacizmit.
“E Majta, që nga ndarja dhe kur Apasievi u bë kryetar i saj, ka qenë një parti e një ekstremi që pretendon dhe paraqitet si ekstrem i majtë, por ka nuanca edhe të nacionalizmit dhe kombinimi i të Majtës me nacionalizmin është definimi i thjeshtë i nacizmit. Dhe sjelljet e tilla të Levicës nuk janë A-tipike, këto janë munduar që nëpërmjet kësi lloj veprimesh, duke u imponuar si faktorë apo si aktorë të cilët mund të pengojnë apo edhe mund të ndryshojnë gjëra përmes sjelljes destruktive.”, – theksoi analisti politik, Sefer Selimi.
Sipas Selimit, këtë demolim të së Majtës po e paguajnë qytetarët dhe e ardhmja e RMV-së, të cilët po mbahen peng nga dy deputetë, të cilët gjithë mandatin e tyre e kanë kaluar duke krijuar skenare të tilla. Selimi po ashtu potencoi se deputetët do të duhet të kenë kujdes në sjelljet e tyre, sepse me kësi lloj veprimesh po i zhgënjejmë edhe qytetarët, por edhe faktorin ndërkombëtar.
“Më tepër se faktorin ndërkombëtar, ne po e zhgënjejmë vetveten, po i zhgënjejmë qytetarët, sepse në fund të ditës, faktori ndërkombëtar mund të japë vetëm vërejtje dhe të observoj nga jashtë, por rezultatet nga polemikat e tilla dhe nga sjelljet e tilla, po e vendosin në pikëpyetje të ardhmen e qytetarëve dhe jo vetëm kredibilitetin tonë para faktorit ndërkombëtar dhe atij vendas.”, – u shpreh analisti politik, Sefer Selimi.
Pas përfundimit të seancës së djeshme, pjesëtarë të MPB-së kanë bërë ekspertizë të dëmeve të shkaktuar në incidentin e shkaktuar, ndërsa kryeparlamentari, Talat Xhaferi, ka bërë të ditur se procedurën duhet ta zhvillojë Prokuroria sipas njoftimit të policisë ose pamjeve nga të cilat ekzistojnë. Ky dëm do të duhet të kompensohet nga deputeti i së Majtës, Borislav Kërmov, i cili ka thyer monitorin dhe inventarin tjetër të tryezës së kryesuesit të seancës në sallën plenare./flaka