Shkup, 13 korrik – Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (ShGM) sot paralajmëroi se shteti nuk duhet të lejohet tu jepen para mediave private. Ky reagim vjen pas informacionit se në Kuvend është paraqitur projekt-propozim për ndryshime në Ligjin për ShMAA, përmes të cilit fshihet ndalimi aktiv i reklamimit qeveritar në mediat private dhe, njëkohësisht, parashikohen shuma të mëdha për radiodifuzerët nga buxheti i qytetarëve edhe atë jo vetëm në nivel qendror, por edhe në atë lokal.
Nga SHGM thonë se për dallim nga partitë politike në pushtet, qëndrimi i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), Sindikatës së Pavarur të Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatik (SPGPM), Institutit Maqedonas për Media (MIM) dhe Këshillit për Etikë në Media (KEMM) disa vite më parë është parimor, kur bëhet fjalë për fushatat e paguara me mjete të qytetarëve në mediat private.
“Theksojmë se kthimi i parave të shtetit në mediat private nuk duhet të përsëritet, sepse tashmë është dëshmuar se kjo praktikë do të reflektohet në mënyrë katastrofike si për gazetarinë ashtu edhe për tregun mediatik. Me përsëritjen e këtij gabimi, Maqedonia po kthehet dhjetë vjet mbrapa kur mediat u korruptuan drejtpërdrejt në mënyrë të ngjashme dhe u shkel pavarësia redaktuese dhe gazetareske. Paralajmërojmë se zgjidhje të tilla do të shkaktojnë dëme të drejtpërdrejta, të përhershme dhe të pariparueshme për të gjithë sektorin mediatik. Prandaj, është e nevojshme që ndalimi i reklamimit në media të mbetet detyrim ligjor dhe të respektohet nga të gjitha njësitë e pushtetit qendror dhe lokal, si dhe nga ndërmarrjet publike”, thonë nga SHGM.
Nga atje theksojnë se propozimi anonim për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele (LShMAA), i cili aktualisht është duke u shqyrtuar nga grupet parlamentare, është hartuar në diskrecion nga partitë politike pa konsultime dhe përfshirje të organizatave relevante esnafe, gazetareske dhe mediatike dhe pa asnjë debat publik.
“Përpjekja për të shtyrë dhe imponuar ligje të tilla të këqija në mënyrë jo-transparente dhe jo-gjithëpërfshirëse tregon se Qeveria dhe partitë politike nuk kanë synime të sinqerta për të krijuar zgjidhje me të cilat do të garantohet pavarësia e mediave dhe liria e shprehjes”, theksojnë nga SHGM.