Në takimin e ardhshëm dyditor, ministrat e Punëve të Jashtme të shteteve të NATO-s do të diskutojnë për mundësinë e një shtimi të përhershëm të numrit të ushtarëve në kuadër të misionit paqeruajtës të aleancës në Kosovë, KFOR, tha shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg.
“Së fundmi kemi shtuar praninë tonë në Kosovë, duke dërguar mijëra ushtarë shtesë. Tani po e shqyrtojmë nëse duhet të ketë një shtim më të përhershëm dhe nëse kemi nevojë për disa aftësi të reja të posaçme”, tha Stoltenberg.
Për mundësinë e një shtimi më të përhershëm të pranisë së NATO-s në Kosovë, Stoltenberg foli edhe gjatë një vizite në Prishtinë më 20 nëntor.
Aktualisht në Kosovë janë 4.687 trupa në kuadër të misionit paqeruajtës të KFOR-it.
Krerët e diplomacisë së shteteve anëtare të NATO-s do të takohen më 28 dhe 29 nëntor në selinë e aleancës në Bruksel.
NATO ka shtuar praninë e saj në Kosovë pas 24 shtatorit, kur një grup serbësh të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve që pasuan po atë ditë, u vranë tre sulmues.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, premtoi se aleanca ushtarake perëndimore do të bëjë gjithçka për ta ruajtur paqen në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Stoltenberg i dërgoi një mesazh të posaçëm Serbisë dhe Kosovës që të avancojnë në procesin e normalizimit të raporteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
“Ne ftojmë Beogradin dhe Prishtinën që të angazhohen në dialogun, e mbështetur nga BE-ja, në mirëbesim, dhe gjithashtu besojmë se propozimi i ri për Asociacionin e komunave me shumicë serbe mund të jetë një hap i rëndësishëm për dialogun dhe që ky proces të jetë më konstruktiv”, tha ai.
Shefi i NATO-s u bëri thirrje palëve të përmbahen nga retorika dhe veprimet nxitëse që mund të rrisin tensionet në rajon.
Në takimin e 28 nëntorit, ministrave të NATO-s do t’iu bashkohet edhe shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell.
Lufta në Ukrainë dhe agresioni i Rusisë në këtë vend do të ketë hapësirën më të madhe në diskutimin e ministrave.