Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka uruar ushtarët për Ditën e Forcës.
Maqedonci thotë se që nga sot po fillojmë festat e nëntorit, këtij muaji, që sipas tij, historikisht ka bashkuar shqiptarët anembanë trojeve.
“Po fillojmë festën me Ditën e Forcës, ushtrisë që është jetësim i ëndrrës tonë shekullore, simbol krenarie e garancë e një jetë të sigurt për gjithë qytetarët e Republikës, kufi i pakalueshëm për këdo që tenton të cënoj territorin e këtij shteti”, deklaroi ai.
Tutje, ministri ka pohuar se Ushtria e Kosovës po ngritë kapacitet e saj në vazhdimësi.
“Ushtria jonë po ngritë kapacitetet e saj në vazhdimësi përmes investimit në armatime, përmes vajzave dhe djemve sypatrembur që me krenari e fisnikëri bartin uniformën e FSK-së, emblema e së cilës është e përbashkëta e kombit, shqiponja e flamurit që na rikujton idealet e dëshmorëve tanë, historinë po aq sa edhe origjinën që përtej kufijve e në secilin prej nesh frymon lirshëm”, tha ai.
Maqedonci shton tutje se “shumë rrugë kemi bërë që nga dalja e parë publike e UÇK-së e deri tek formimi i ushtrisë sonë FSK-së në shtetin e pavarur të Kosovës”.
Në reagimin e bërë në Facebook, ministri ka shkruar se “luftuam për të drejtën, lirinë, për paqen, dhe përpjekjet e popullit tonë liridashës do të vazhdojnë përkrah partnerëve tanë strategjik”.
“Synimi ynë është anëtarësimi në familjen evropiane dhe në NATO, nga ku do i kontribuojmë paqes që duhet mbizotëruar gjithandej globit, mbrojtjes së vlerave demokratike që janë kusht i domosdoshëm për ekzistencën e njerëzimit, lirisë univerzale të njeriut. Urime të gjithëve Dita e Forcës, Dita e Ushtrisë sonë”, potencoi ai.
Ndryshe, me rastin e Ditës së Forcës, Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës, kanë organizuar sot “Ditën e hapur”, e cila ka zgjatur nga ora 10:00 deri 13:00.
Qytetarë të shumtë kanë vizituar kazermat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ku edhe po shohin nga afër pajisjet, armatimin dhe aktivitetet e FSK-së.
Numër i madh i qytetarëve janë parë edhe në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.