LajmeMaqedoni

111 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë, Ahmeti: Historia e qëndresës shqiptare u shkrua me gjakun e dëshmorëve!

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka uruar të gjithë shqiptarët me rastin e 111 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Ahmeti në faqen e tij zyrtare në Facebook shkruan se historia e qëndresës shqiptare u shkrua me gjakun e dëshmorëve, që gjithmonë kërkuan gjuhë, liri dhe flamur të paprekshëm.

Statusi i plotë:

Dita e flamurit tonë kombëtar përmbledh të gjitha kujtimet e të kaluarës sonë të lavdishme, të kauzave tona të drejta që ndiqnin njëra – tjetrën për të ruajtur identitetin dhe dinjitetin përballë ideologjive armiqësore që donin me çdo kusht ç’rrënjosjen tonë nga toka e të parëve.
Ajo histori e qëndresës u shkrua me gjakun e dëshmorëve e martirëve, në atë gjak ka burimin përjetësia jonë, ndaj të pathyeshëm e krenar kemi qëndruar gjithmonë.
Sot bëhen 580 vjet nga valëvitja e flamurit kombëtar nga Gjergj Kastrioti Skenderbeu, 111 vjet nga vendosja e themeleve të shtetit shqiptar në Vlorë, 26 vjet nga dalja e parë publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përvjetore që reflektojnë madhështinë e rrugëtimit tonë kombëtar, konsistencën e saj të drejtë ideologjike.
Liri e barazi kërkonim në çdo etapë të ekzistencës kombëtare, gjuhë e flamur të paprekshëm, shkolla që të arsimonim vegjëlinë, asgjë më tepër se kjo, të drejtë ishim në qëllimet dhe ja ku jemi, të lidhur shpirtërisht përtej kufijve dhe në shërbim të përparimit të kombit tonë.
Gëzuar 28 Nëntorin, lavdi e përjetshme të rënëve për idealet kombëtare!

Show More

Related Articles

Back to top button