LajmeMaqedoni

Kovaçevski dhe Trençevska sot do të takohen me përfaqësuesit e shoqatave të pensionistëve

Sot, me datë 01.12.2023 me fillim nga ora 14:00 në Klubin e deputetëve, kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovacevski dhe ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska do të takohen me përfaqësues të shoqatave të pensionistëve.

Pensionistët nga të gjitha anët e vendit në muajt e kaluar mbajtën tri protesta të mëdha në kryeqytet, ku parashtruan dy kërkesa kryesore – rritje lineare të pensioneve për 5.000 denarë dhe pension minimal prej 18.000 denarë.

Pas protestës së parë, në gusht, Trençevska njoftoi se pas takimit me Lidhjen e shoqatave të pensionistëve të Maqedonisë, është marrë vendim për formimin e grupit punues i cili do të propozojë zgjidhje që do të jenë të qëndrueshme për përcaktimin e shumës së pensionit minimal, por edhe për lloje të tjera masash për të ndihmuar dhe mbështetur pensionistët.

Protesta e dytë ishte më 20 shtator dhe e fundit më 7 nëntor, ku pensionistët nga të gjitha anët e vendit përsëritën kërkesat e tyre për rritjen e pensioneve.

Ndryshe, edhe pas protestës së parë të 14 gushtit në Shkup, ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Jovanka Trençevska vlerësoi se protestat e pensionistëve nuk ishin spontane dhe të vetëorganizuara, por se sipas saj, pas tyre qëndronte VMRO-DPMNE opozitare për të krijuar kaos në shoqëri.

Show More

Related Articles

Back to top button