Policia e Kosovës ka dhënë detaje pas zbardhjes së vrasjes së Liridona Murseli, mbrëmjen e së mërkurës (29 nëntor) pranë banesës së saj në rrugën Dalip Alshiqi, Prishtinë.
Uniformat blu kanë informuar se në pranga janë vendosour 3 autorët e dyshuar të krimit të rëndë, ndërsa janë sekuestruar pistoleta me 19 fishekë që dyshohet se u përdor për vrasjen e Liridona Mursdeli dhe makina e përdorur nga autorët.
“VRASJE E RËNDË -Rr. Dalip Alshiqi, Prishtinë 29.11.2023 – 20:18. Lidhur me rastin, janë identifikuar dhe arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë. Është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me 19 fishekë dhe një veturë që janë përdorur rast. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, njoftoi policia.
Naim Murseli u vendos në pranga disa orë pas ceremonisë mortore të bashkëshortes së tij, e cila u vra mbrëmjen e së mërkurës (29 nëntor) brenda automjetit ku po udhëtonte me Naim Murseli dhe dy djemtë e tyre të mitur.
Në prangat e policisë së Kosovës ka rënë gjithashtu edhe autori i dyshuar i krimit, Granit Plava, bashkëfshatar i Naim Murseli, si edhe kushëriri i këtij të fundit, Kushtrim Kokolla, pjesëtar i Forcave Speciale të Kosovës.
Naim Murseli dyshohet se i ka premtuar një shumë prej 30 mijë euro për të hequr qafe bashkëshorten e tij. Sipas mediave të Kosovës, Naim Murseli i ka dhënë 15 mijë euro paraprakisht, ndërsa pjesën tjetër të pagesës do ia jepte më vonë.
Ndërkohë ende nuk dihet roli i kushëririt të tij, Kushtrim Kokolla në vrasjen e 30-vjeçares, Liridona Murseli, krim i ndodhur pak metra larg banesës së saj në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë.
Naim Murseli tentoi ta fshihte si grabitje duke deklaruar fillimisht se disa persona të armatosur i kishin bërë pritë dhe i kishin marrë sendet personale. Në deklaratën pas ngjarjes për policinë, ai tregoi se i tmerruar kishte marrë dy fëmijët e tyre të mitur dhe ishte larguar. Por sipas tij Liridona kishte mbetur në makinë dhe ishte qëlluar nga grabitësit.
“Dëgjova vetëm krismat”, tha ai për hetuesit, duke krijuar një skenar të denjë për filma, por që zgjati vetëm dy ditë.
Policia e Kosovës organizoi ditën e djeshme arrestimet në dy vendndodhje të ndryshme në Gjakovë duke vendosur në pranga autorët e dyshuar të implikuar në krimin e rëndë.
Ndërkohë është gjetur edhe arma e krimit, me të cilën dyshohet se Granit Plava, i paguar nga Naim Murseli qëlloi për vdekje 30-vjeçaren, për shkaqe që ende nuk dihet.
Ndërkohë mësohet se Naim Murseli dhe bashkëfshatari i tij kanë pranuar autorësinë e krimit.