LajmeRajonRajon

Pezullohet nga detyra prefekti i Kukësit, SPAK: Ka abuzuar me tenderin e naftës

Prefekti i Kukësit Granit Gjana është pezulluar nga detyra për shkak të abuzimit me tenderat publik.

Sipas Prokurorisë së Posaçme SPAK, Granit Gjana gjatë kohës që ka qenë zëvendës kryetar i bashkisë së Kukësit, ka penguar një kompani që të merrte pjesë në 2 tendera për “blerje karburanti” në vlerën 21 milionë lekë.

Shkeljet sipas prokurorisë së posaçme janë bërë në vitin 2023 gjatë kohës që Granit Gjana si zëvendës kryetar, ka qenë titullar i Autoritetit Kontraktor i bashkisë së Kukësit për këto tendera.

“Nga provat e grumbulluara deri në këtë fazë të hetimit është krijuar dyshimi i arsyeshëm se shtetasi nën hetim Granit Gjana , në cilësinë e zv/kryetarit të Bashkisë Kukës, por me kompetencat e deleguara si titullar i Autoritetit Kontraktor Bashkia Kukës, ka konsumuar elementë të veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258/2 i K.Penal.

Ky shtetas me mosveprimet e tij, e konkretisht mospaisjen në kohën e duhur me Autorizimin për tregtimin e lëndëve djegëse, edhe pse subjekti “U. C” shpk, i kishte kryer pagesat e nevojshme dhe dorëzuar dokumentacionin pranë organit shtetëror sipas ligjit, e ka penguar OE-në të kualifikohet në dy procedurat e tenderit me objekt “Blerje karburanti”, në vlerën 21.000.0000 lekë, të organizuara nga Autoriteti Kontraktor Bashkia Kukës përgjatë vitit 2023. Për pasojë shtetasi nën hetim Granit Gjana ka dëmtuar interesat e ligjshëm të personit juridik “U. C.” Shpk, duke e penguar këtë subjekt për t’u kualifikuar në procedurën e prokurimit të mësipërm”-thuhet në njoftimin e SPAK.

Vlen të kujtojmë se Gjana ka qenë nënkryetar i Bashkisë Kukës, gjatë kohës që në krye të Bashkisë ishte Safet Gjici, i cili u arrestua pas publikimit të pamjeve ku shihej duke kryer marrëdhënie seksuale në zyrë.

Gjana është paraqitur dhe më parë në SPAK.

Shfaq më shumë

NGA kategoria

Back to top button
Globi.mk