Më 28 janar pritet të formohet qeveria teknike me në krye Talat Xhaferin. Por përbërja e saj aktualisht është e paqartë. Ajo që dihet është se në postin e kryeparlamentarit, Xhaferi me gjasë do të zëvendësohet nga koordinatori i Grupit Parlamentar të LSDM-së, Jovan Mitreski. Votimi për kryetarin e ri të Kuvendit, siç bëjnë të ditur socialdemokratët, do të bëhet muajin e ardhshëm. Ndërkohë nuk dihet nëse VMRO-DPMNE do të pranojë të marrë pjesë në Qeverinë teknike. Partia opozitare njoftoi se organet e partisë do të vendosin për këtë temë në periudhën e ardhshme. Por, shtrohet pyetja se sa ka gjasa që të pranojnë të marrin pjesë në një Qeveri në të cilën kryetar do të ishte Xhaferi, duke pasur parasysh akuzat e përditshme për kandidatin e BDI-së. VMRO-DPMNE do të kishte pozitat ministrore për punë të brendshme, punë dhe politikës sociale si dhe disa zëvendësministra.
“LSD dhe Kovacevski pranojnë dhe mbështesin kryeministrin të jetë person që shkel procedurat parlamentare, Rregulloren e Kuvendit, dhe përdor flamurin evropian vetëm kur duhet të miratohet një ligj që është vetëm në interes të një grupi të vogël, njerëz të afërt me BDI-në. BDI është kriminalizuar plotësisht në gjashtë vitet e fundit. BDI i dëboi edhe maqedonasit edhe shqiptarët nga Maqedonia”, thonë nga VMRO-DPMNE.
Sipas LSDM-së, mospjesëmarrja eventuale e VMRO-DPMNE-së në Qeverinë teknike do të ishte për alibi për, siç thonë humbjen në zgjedhje.
“Ne nuk do të lejojmë që Mickoski të gjejë alibi për humbjet zgjedhore që e presin”, deklaroi Darko Kaevski – zëdhënës i LSDM-së.
Nga ana tjetër LSDM i është përgjigjur deklaratës së nënkryetarit të BDI-së, Bujar Osmani, se misioni i radhës i partisë së tij është presidenti shqiptar. Socialdemokratët presin që kandidati i tyre në zgjedhjet e ardhshme presidenciale të mbështetet nga i gjithë koalicioni.
“Sa i përket deklaratës, qytetarët në radhë të parë vendosin në zgjedhje se kujt do t’ia japin besimin, pavarësisht përkatësisë etnike, fetare apo çfarëdo përkatësie tjetër. Në shumë raste kemi thënë se kandidati i propozuar nga LSDM, në zgjedhjet e ardhshme, bashkë me gjithë koalicionin, gjegjësisht i përkrahur nga i gjithë koalicioni, do të jetë fitues i atyre zgjedhjeve”, tha Darko Kaevski – zëdhënës i LSDM-së.
Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale pritet të mbahet më 24 prill, ndërsa raundi i dytë më 8 maj. Në të njëjtën ditë do të votohet edhe për zgjedhjen e përbërjes së re parlamentare. Paraprakisht, Xhaferi ka theksuar se 8 maji është datë kritike, sepse inaugurimi i presidentit të ri duhet të bëhet më 12 maj dhe në ndërkohë do të mbyllet afati për ankesa të mundshme për procesin zgjedhor. Nëse për këtë arsye inaugurimi i presidentit të ri vonohet, detyrën e tij do ta marrë personi i parë i Kuvendit. Sipas planit të koalicionit qeverisës, do të ishte deputeti aktual, Jovan Mitreski. /Alsat.mk