LajmeRajon

“Krenarë që mbështesim SPAK, po i vjen fundi pandëshkueshmërisë”- David Wisner: SHBA nuk i përgjigjet Berishës, ai është non grata për ne

I ngarkuari me punë i Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë, David Wisner, ka zgjedhur Ditën Ndërkombëtare kundër Korrupsionit për të dhënë disa mesazhe të rëndësishme për politikën dhe shoqërinë shqiptare. Wisner thekson se korrupsioni kërcënon sigurinë kombëtare të SHBA-ve dhe Shqipërinë, dhe mbështet fort SPAK-un në hetimet ndaj korrupsionit në nivelet më të larta të qeverisjes dhe krimit të organizuar.

I pyetur nga “Panorama”, për deklaratat e Berishës dhe Ramës ndaj SPAK, Wisner refuzoi t’i përgjigjet të parit, sipas tij sepse është i sanksionuar për korrupsion madhor, ndërsa si përgjigje për Ramën, ai thotë se janë 40 ekspertë amerikanë që financohen nga SHBA-të në mbështetje të drejtësisë, përfshirë edhe mbështetjen e Departamentit të Drejtësisë, Departamentit të Shtetit, FBI, DEA etj.. Wisner thekson se marrëdhëniet mes SHBA-ve e Shqipërisë janë më të forta se kurrë ndonjëherë si dhe përgjigjet për ngërçin në Parlament dhe zërave se ndërkombëtarët mbështesin stabilokracinë në kurriz të standardeve demokratike në Shqipëri.

“Panorama”: I ngarkuar me punë, Wisner, ju falënderojmë që keni zgjedhur gazetën “Panorama” për intervistën tuaj të parë në Shqipëri. Meqenëse jemi në Ditën Ndërkombëtare kundër Korrupsionit, në Shqipëri vazhdon të jetë një nivel i lartë i perceptimit publik për korrupsionin në çdo nivel të qeverisjes, cili është gjykimi juaj për këtë fenomen në momentet qe flasim?

I ngarkuari me punë Wisner: Dita Ndërkombëtare kundër Korrupsionit është një mundësi e rëndësishme për të reflektuar për përparimin e përpjekjeve të Shqipërisë për të luftuar korrupsionin dhe për të ripërtëritur përpjekjet tona të përbashkëta për ta luftuar korrupsionin. Institucionet e drejtësisë të Shqipërisë po bëjnë përparim kundër korrupsionit, por po ashtu është e qartë që duhet më shumë punë. Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë europianë mund të advokojnë dhe mbështesin përpjekjet antikorrupsion të Shqipërisë, por nevojitet kushdo, të gjithë shqiptarët dhe të gjitha institucionet për ta bërë të qartë që askush nuk është mbi ligjin. Asnjë vend nuk ka imunitet kundrejt korrupsionit, përfshi Shtetet e Bashkuara, por suksesi është i mundur. Populli shqiptar kërkon rezultate dhe ne qëndrojmë krah tij.

“Panorama”: Ju keni mbështetur reformën në drejtësi dhe sidomos hetimet e SPAK. A jeni të kënaqur me bilancin e SPAK deri tani?

I ngarkuari me punë Wisner: Mendoj se SPAK-ut i takon një meritë shumë e madhe për përpjekjet e tij. Provat janë te rezultatet. Po shohim më shumë dënime, më shumë sekuestrime, më shumë konfiskime, më shumë hetime dhe më shumë bashkëpunim ndërkombëtar në fushën e zbatimit të ligjit, çka do të thotë se SPAK po zhvillon reputacionin si organ serioz, i besueshëm ligjzbatimi me të cilin vendet e tjera mund të hyjnë në partneritet për të luftuar krimin e organizuar ndërkombëtar dhe korrupsionin. Partnerët amerikanë dhe të tjerë ndërkombëtarë po rrisin bashkëpunimin me Shqipërinë si rezultat i kësaj. Kur njerëzit që kryejnë korrupsion si dhe figurat e krimit të organizuar hetohen, ngrihet padi kundër tyre, arrestohen, dënohen – këto tregojnë se ditët e pandëshkueshmërisë po i afrohen fundit. Po ashtu, u dërgohet një mesazh edhe aktorëve të tjerë të korruptuar.

“Panorama”: Para pak javësh, një grup prokurorësh të SPAK ishin në Departamentin e Shtetit, FBI, etj.. Çfarë prisni më tepër dhe për çfarë i inkurajoni ju prokurorët e SPAK në këtë fazë?

I ngarkuari me punë Wisner: Shqipëria është një aleate në NATO, një mike dhe partnere e Shteteve të Bashkuara. Duam të mbështesim çdo përpjekje për të çuar përpara integrimin në BE të Shqipërisë dhe trajektoren e saj trans-atlantike. Kjo përfshin mbështetjen tonë për reformën në drejtësi. Kemi një personel me mbi 40 veta të financuar nga SHBA në Shqipëri për të mbështetur dhe këshilluar institucionet e ligjzbatimit dhe drejtësisë. Për ju edhe për ne është një çështje e sigurisë kombëtare. Korrupsioni dhe krimi i organizuar pengojnë zhvillimin ekonomik, zmbrapsin investimin e huaj, minojnë demokracinë dhe shtyn ata që janë të rinj e ambiciozë që të kërkojnë mundësi në vende të tjera. Vizita e SPAK në Uashington, DC, muajin e kaluar demonstroi se sa të rëndësishme janë përpjekjet antikorrupsion të Shqipërisë për Shtetet e Bashkuara. Në takimet e nivelit të lartë me Departamentin e Drejtësisë, Departamentin e Shtetit, FBI dhe DEA, vizita i dha mundësi zyrtarëve të lartë të SPAK që të vendosnin dhe forconin partneritete me vlerë në institucionet e drejtësisë dhe zbatimit të ligjit të SHBA. Ndonëse SPAK është ende i ri si institucion, ne duam që të vazhdojë trajektoren për lart dhe presim që anëtarët e tij të ruajnë nivelin e integritetit që të gjithë shqiptarët duan të shohin tek ata.

“Panorama”: Z. i ngarkuar me punë, ka mjaft reagime ndaj hetimeve të SPAK ndaj disa ish-ministrave dhe kryebashkiakëve socialistë, por edhe ish-kryeministrit Berisha dhe dhëndrit të tij. A mund të garantoni ju opinionin publik në Shqipëri se SPAK është i pavarur dhe jo i ndikuar nga pushteti, siç ka ndodhur në të kaluarën?

I ngarkuari me punë Wisner: Ne besojmë se SPAK po qëndron në lartësinë e atij mandati. Ka një shprehje në Shtetet e Bashkuara, që ‘drejtësia është e verbër’. I gjithë qëllimi për ngritjen e SPAK ishte të krijohet një institucion i pavarur për të hetuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, përfshi në nivelet më të larta të qeverisjes. Kjo është gjëja më me rëndësi që ai të jetë vërtet i suksesshëm dhe i efektshëm. Kemi parë të hetohen, t’u ngrihen padi dhe të dënohen zyrtarë të niveleve të larta nga i gjithë spektri politik.

“Panorama”: U referohem deklaratave politike të z. Berisha, i cili e konsideron SPAK si “kamxhikun e Ramës”, ndërsa Kryeministri Rama nga ana e tij e konsideron reformën në drejtësi dhe SPAK-un produkt të partisë së tij për shtetbërje. Cila është përgjigja juaj për këto pikëpamje të palëve politike në Shqipëri?

I ngarkuari me punë Wisner: Nuk do t’i përgjigjem dikujt që është sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara për korrupsion madhor. Shtetet e Bashkuara janë krenare të mbështesin punën e SPAK-ut dhe institucioneve të tjera të drejtësisë dhe do të vazhdojmë të mbështesim kërkesat e popullit shqiptar për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Siç e vërejta, kemi investuar fort në suksesin e reformave në drejtësi të Shqipërisë, përfshi SPAK, përmes ekspertizës, financimit dhe mbështetjes sonë politike. Jemi krenarë të jemi partnerë me Shqipërinë. Çdo shqiptar meriton të jetojë në një vend ku secili është i barabartë përpara ligjit, ku shteti ligjor funksionon dhe ku secili ka një mundësi të barabartë për begati. Jo vetëm sepse e kërkon e ardhmja euro-atlantike e Shqipërisë, por sepse është gjëja e duhur.

Show More

Related Articles

Back to top button