Ditën e sotme SPAK i kërkoi Kuvendit të Shqipërisë që t’i heqë imunitetin ish-kryeministrit Sali Berisha.
Këshilli i Mandateve do të mblidhet në datën 18 dhjetor 2023 për të shqyrtuar këtë kërkesë.
“Mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Sali Berisha, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit, do të zhvillohet në datën 18.12.2023, ora 12.00, në Kryesinë e Kuvendit”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.
Kujtojmë që ndaj ish-kryeminstrit Sali Berisha, SPAK ka ngritur akuzën e korrupsionit pasiv dhe kërkoi heqjen e pasaportës në mënyrë që të ndalonte daljen e tij jashtë vendit, si dhe paraqitjen e tij të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji para OPGJ-së në GJKKO.
Duke parë kundërshtitë e ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili nuk u paraqit asnjëherë para OPGJ-së, Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani, ju drejtua këtë të martë me një shkresë Kuvendit ku kërkon heqjen e imunitetit.
Në rast se Kuvendi do të vendosë pro heqjes së imunitetit për Sali Berishës, atëherë, SPAK-ut i lind e drejta për të kërkuar arrestin e tij me burg ose masën arrest shtëpie.
Duke marrë parasysh moshën e ish-kryeminstrit dhe veprën për të cilën akuzohet, me shumë gjasa ndaj tij do të kërkohet masa arrest shtëpie.