LajmeMaqedoni

Korrupsioni i shqetëson qytetarët e RMV më shumë se sa varfëria

Për herë të dytë, korrupsioni është problemi kryesor që shqetëson shoqërinë.  Të dhënat e publikuara nga Qendra për Bashkëpunim Ndërkombëtar tregojnë se nga çdo i treti qytetar në vend është kërkuar ryshfet, ndërsa një në katër persona e ka dhënë. Që do të thotë se nga 500 mijë persona gjatë vitit të kaluar 380 mijë kanë qenë të detyruar të japin ryshfet.  Por këto shifra nuk përputhen me gjendjen e ballafaqimit me korrupsionin, veçanërisht kur dihet se në sistemin gjyqësor vendor figurojnë 98 aktgjykime për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe vetëm katër për dhënie apo marrjen e ryshfetit, që nënkupton se korrupsioni mbetet i pandëshkuar.

Sipas hulumtimit, perceptimi i  qytetarëve është se gjendja më e rëndë është në institucione, ministrat, drejtuesit e partive politike dhe gjyqtarët konsiderohen si profesionet më të korruptuara dhe rrjedhimisht institucionet më të korruptuara radhiten  qeveria, gjykatat dhe parlamenti. Nga anketa rezulton se vetëm  Ministria e Brendshme dhe Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit gëzojnë besimin më të madh si institucione për trajtimin e korrupsionit.

“Ndryshe nga vitet e kaluara, është pak më mirë që qytetarët të shohin njëfarë shprese në përballjen me korrupsionin. Deri më tani më pak se 30 për qind besonin se korrupsioni mund të shtypet, tani ka arritur në gati 50 për qind dhe do të thoja se kjo është kryesisht falë përpjekjeve të Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit dhe Entit Shtetëror të Auditimit”, thotë drejtori i QMBN-së, Aleksandar Kërzhalovski. Sa i takon korrupsionit të vogël është më i përhapur në të gjitha fushat nga shëndetësia dhe arsimi deri te industria e ndërtimit.

Por, Kërzhalovski thekson se institucionet duhet të merren edhe me korrupsionin e madh, sidomos aty ku ka më së shumti para në qarkullim.

“Këtu nuk do ta shmangja çështjen e korridoreve, ku mendoj se është e pabesueshme të japim 15 milionë për një kilometër autostradë në një situatë ku vetëm pak vite më parë kemi ndërtuar një autostradë sipas standardeve evropiane Demir Kapi – Smokvicë për një çmim prej gjashtë milionë euro për km. As rritja e çmimeve dhe as inflacioni nuk mund të justifikojnë një rritje prej më shumë se 30 për qind. Institucionet duhet të punojnë derisa të kemi hyrë thellë në atë projekt për ta rishikuar dhe reduktuar në një masë normale. Askush nuk është kundër korridoreve, por jo me këto çmime”, thonë nga QMBN.\koha\

Show More

Related Articles

Back to top button