LajmeRajon

Qeveria e Kosovës ndan nga 100 euro për fëmijët dhe pensionistët

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të ndajë nga 100 euro për të gjithë fëmijët nën 16 vjeç në muajin dhjetor.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se pushteti synon që vitin e ardhshëm të avancojë skemën, sipas parimit që ata që kanë më pak të ardhura, të përfitojnë më shumë.

Deri më tani, Qeveria ka ndarë nga 10 euro për fëmijët nën moshën 16 vjeç dhe nga 20 euro për fëmijët deri në dy vjeç.

Kurti është zotuar se në të ardhmen fëmijët do të përfitojnë nga shtesat prej 50 deri 150 euro.

Në mbledhjen e parafundit të Qeverisë, Kurti ka thënë se këtë muaj edhe pensionistët do të përfitojnë nga 100 euro, përveç pensionit të rregullt.

Pensionet në Kosovë dallojnë nga 100 deri në 265 euro, varësisht prej kontributit.

Nga janari e deri në korrik të këtij viti, Kosova ka shpenzuar mbi 305 milionë euro në përkrahje financiare për personat e pensionuar dhe për ata që janë në skema të ndryshme sociale.

Buxheti i paraparë i Kosovës për vitin e ardhshëm pritet të jetë 3.3 miliardë euro, në krahasim me 3.2 miliardë euro sa ishte këtë vit.

Ndër vendimet tjera, Kurti ka thënë se buxhetit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) i janë shtuar edhe 40 milionë euro, dhe se buxheti i ndarë në mbrojtje këtë vit tejkalon shifrën 200 milionë euro.

Forca e Sigurisë e Kosovës është në proces të transforimit në Ushtri.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar ligjet për këtë transformim në vitin 2018.

Përgjegjësitë e reja të FSK-së, mes tjerash, kanë të bëjnë me ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, si dhe të qytetarëve, pronave dhe interesave të vendit.

Aktualisht, FSK-ja ka rreth 2.500 pjesëtarë. Pas periudhës së tranzicionit, ky numër pritet të rritet mbi 7.500 dhe të përfshijë pjesëtarët aktivë dhe ata rezervistë. 

Show More

Related Articles

Back to top button