Është zbardhur ngjarja e ndodhur një ditë më parë në burgun e Peqinit ku një i burgosur përjetë i mori jetën një të burgosuri tjetër dhe la një të plagosur.
Prokuroria e Elbasanit njofton se ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:52 në ambientet e regjimit të brendshëm të burgut ku Sokol Mjacaj, i dënuar me burgim të përjetshëm, ka hapur zjarr në drejtim të të dënuarit Arben Lleshi dhe Indrit Shaqja.
Për pasojë, i vdekur në vend mbeti Lleshi dhe i plagosur Shaqja.Më pas, Mjacaj ka kërcënuar me armë zjarri në dorë punonjësit e shërbimit dhe më pas është izoluar me armë në dorë në ambientet e takimeve me familjarët në këtë burg.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruara një armë zjarri, 5 gëzhoja, si dhe dy predha të dëmtuara.
Mjacaj, i armatosur prej 20 ditësh
Sipas hetimeve të deritanishme dhe nga marrja në pyetje e autorit, bëhet e ditur se arma e zjarrit është futur në IEVP Peqin dhe më pas është mbajtur në dhomë nga i dënuari Sokol Mjaca për një kohë rreth 20 dite.
Gjithashtu kjo armë dyshohet të jetë mbajtur prej tij dhe në ambientet e përbashkëta në këtë burg, më konkretisht në ajrim, apo regjimi brendshëm.
Punonjësit e shërbimit nuk kanë përmbushur detyrat funksionale
Prokuroria e Elbasanit dyshon se punonjësit e policisë nuk kanë kryer kontrollin fizik, që konsiston nga dalja e të dënuarit nga dhoma për ajrim dhe kthimin nga ajrimi për në dhomë në ditën e ngjarjes si dhe në ditët e mëparshme.
Gjithashtu gjatë transferimit nga ambientet e godinës të emërtuar si 41 biz ku ka qenë i akomoduar për në godinën B të sigurisë së lartë ku është akomoduar së fundmi Mjacaj rezulton se nuk është kryer procedura standarde e kontrollit fizik dhe të sendeve personale si parashikon skema e sigurisë, si dhe nga ana e autoriteteve të informacionit të burgut nuk është njoftuar ngjarja e ndodhur në orën 13:52 të datës 15.12.2023 në sallën operative të DVP Elbasan apo Komisariatin e Policisë Peqin.
Mbi këtë bazë nga policia gjyqësore është arrestuar në flagrancë:
•Sokol Mjaçaj alias Mjacaj për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” nga të cilat njëra e mbetur në tentativë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i arëmëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”.
- K.H, me detyrë drejtori i IEVP Peqin, pasi dyshohet për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorim i detyrës” , pasi nuk ka marrë masat e duhura ligjore për menaxhimin e sigurisë në burg duke cenuar rëndë sigurinë në këtë institucion.
- Q.M, me detyrë Shef regjimi, të godinës 41 Bis, pasi dyshohet për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorim i detyrës”, pasi nuk ka respektuar detyrimet ligjore të përcaktuara në skemën sigurisë së burgut për kryerjen e kontrollit të dënuarit Sokol Mjacaj nga godina e 41 bis në sektorin B.
- N.Gj. me detyrë ish shefi i sigurise të IEVP Peqin pasi dyshohet për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorim i detyrës”, pasi nuk ka marrë masat e nevojshme për të parandaluar hyrjen në rregjimin e brendshëm të armës së zjarrit me të cilën është kryer vrasja.
- A.D., me detyrë Specialist informacioni, salla operative IEVP Peqin, pasi dyshohet për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorim i detyrës”, pasi nuk ka ushtruar detyrën e tij duke mos njoftuar Sallën operative të Policisë së Shtetit për ngjarjen e ndodhur.
- I.B., pasi nuk ka ushtruar procedurën e detyrueshme të kontrollit të dënuarit Sokol Mjacaj.
- F.M., me detyrë polic shërbimi tek godina B, IEVP Peqin, pasi dyshohet për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorim i detyrës”, pasi nuk ka ushtruar procedurën e detyrueshme të kontrollit të dënuarit Sokol Mjacaj.
- F.P, me detyrë polic shërbimi, pergjegjes sektori kati i parë, godina B, IEVP Peqin, pasi dyshohet për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorim i detyrës”, pasi nuk ka ushtruar procedurën e detyrueshme të kontrollit të denuarit Sokol Mjacaj.
- V.Sh., me detyrë shef regjimi godina B, IEVP Peqin, pasi dyshohet për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorim i detyrës”,, pasi nuk ka marre masat e nevojme per te garantuar respektimin e procedurave të kontrollit në sektorin që ai drejton.
- G.M, me detyrë shërbim në kollonë, godina B, IEVP Peqin, pasi dyshohet për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorim i detyrës”, pasi nuk ka ushtruar procedurën e detyrueshme të kontrollit të dënuarit Sokol Mjacaj.
- K.H, me detyrë punonjës i rolit bazë, godina B, IEVP Peqin, pasi dyshohet për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorim i detyrës”, pasi nuk ka ushtruar procedurën e detyrueshme të kontrollit të dënuarit Sokol Mjacaj.
- E.Ç, me detyrë polic shërbimi, godina B, IEVP Peqin, pasi dyshohet për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorim i detyrës”, pasi nuk ka ushtruar procedurën e detyrueshme të kontrollit të dënuarit Sokol Mjacaj.
- I.D, me detyrë punonjës roli bazë, godina B, IEVP Peqin, pasi dyshohet për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorim i detyrës”, pasi nuk ka ushtruar procedurën e detyrueshme të kontrollit të dënuarit Sokol Mjacaj.