LajmeMaqedoni

Vendimet e punës për personelin mjekësor, grinden ministrat Mexhiti dhe Besimi!

Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, thotë se ka debatuar ashpër me ministrin e Financave, Fatmir Besimin, për shkak të kërkesës për shndërrimin e kontratave të personelit mjekësor në punësim të përhershëm. Sipas tij duhet të zgjidhet çështja me punëtorët shëndetësorë që punojnë me vite pa status të zgjidhur.

“Ata punojnë nga 5-6 vjet me kontratë në vepër, ndërsa disa prej tyre edhe më shumë. Andaj e hapa këtë çështje në seancë qeveritare të martën e kaluar ku kishim një debat të ashpër me ministrin e financave. Duhet të angazhohemi që këto çështje t’i zgjidhim dhe t’i vendosim në drejtimin e duhur. Mezi e pres seancën e re qeveritare të martën që të shoh se cilat janë mendimet dhe çfarë të bëhet më tutje, u shpreh Fatmir Mexhiti, ministër i Shëndetësisë.

Për shkak statusit të këtillë të punësuarve në sektorin e shëndetësisë, numri i atyre që ikin në shëndetësi private po rritet. Mexhiti thotë se në disa nga klinika tashmë ka mungesë të personelit, por mbi të gjitha mungon organizimi.

“Sa i përket personelit, e di që në disa klinika është deficit, në disa jo, vërtet Onkologjia është shumë e ngarkuar dhe Radiologjia, klinikat e tjera janë mirë me personel, por ne kemi tre fakultete mjekësore në vend dhe ata prodhojnë personel çdo ditë dhe çdo vit, që nuk do të thotë se nuk kemi staf por ajo që nuk kemi është disiplinë, organizim dhe sistematizim”, shtoi Mexhiti.

Në lidhje me skandalin me Onkologjinë, Mexhiti i bëri thirrje edhe një herë Prokurorisë që të bëjë gjithçka që duhet dhe të dalë sa më shpejt me emër dhe mbiemër, se kush është përgjegjës për këtë rast.

Show More

Related Articles

Back to top button