LajmeRajon

Zgjedhjet parlamentare në Serbi forcojnë pushtetin e Vuçiqit

“Njeriu i fortë i Beogradit” mund të marrë frymë lirisht. Partia e Vuçiqit fiton një mandat të ri qeverisës. Opozita serbe akuzon partinë e Vuçiqit për manipulime.

Sipas të dhënave të instituteve zgjedhore, zgjedhjet e parakoshme parlamentare në Serbi kanë përfunduar me një fitore të ndjeshme të partisë së Aleksandar Vuçiqit, Partia Progresive Serbe, SNS. Pas numërimit të më shumë se 90% të votave, Instituti i Beogradti Cesid dhe Ipsos kanë nxjerrë me 46% të votave Partinë Progresive Serbe, SNS si forca kryesore zgjedhore. SNS merr 128 vende nga 250 vende në parlament duke arritur kështu shumicën absolute në parlamentin e ri serb. Rezultati i zgjedhjeve të së dielës duhet të krijojë lehtësi për presidentin serb, partia e të cilit shtoi me 2 pikë rezultatin. Në natën zgjedhore, Vuçiq foli para përkrahësve të tij për “fitore të qartë, të padiskutueshme dhe bindëse”. “Tani është koha ta çojmë përpara vendin tonë, që Serbia të përparojë.”

Zgjedhjet u errësuan nga akuzat e opozitës për manipulime, sipas agjencisë gjermane të lajmeve, dpa. Vuçiq vendosi për zgjedhje të parakohshme parlamentare 17 muaj pas zgjedhjeve të fundit. Megjithëse presidenti serb përcakton gati çdo gjë në politikën e vendit, ai duket se u frikësua, shkruan dpa: kjo pas dy sulmeve amok në Maj me 18 të vdekur dhe një lëvizjeje spontane proteste, që kërkonte fundin e sundimit të tij.

Po ashtu Aleksandar Vuçiq ndodhet nën presion edhe për shkak të moszgjidhjes ende të problemit të Kosovës, normalizimi i marrëdhënieve me të cilën është ende larg. Vuçiq, i cili ka negociuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti ka refuzuar nënshkrimin e ujdive të ndryshme.

Akuzat e opozitës

Opozita liberale, e cila pas sulmeve amok krijoi alencën zgjedhore “Serbia kundër dhunës” arriti një rezultat të mirë. Sipas rezultateve të deritanishme ajo arriti 24% të votave dhe me 65 mandate renditet forca e dytë. Ajo kishte shpresa që në zgjedhjet lokale të arrinte një ndërrim pushteti në kryeqytetin Beograd. Natën e së dielës u shënua një situatë pati. As partia SNS dhe as opozita liberale, SPN nuk kanë shumicën në këshillin bashkiak që zgjedh kryetarin. Rol të rëndësishëm luan partia e populistit të djathtë dhe mjekut, Branimir Nestorovic, që me 5% të votave hyri në këshillin bashkiak.

Zgjedhjet për Beogradin u shenjuan nga akuza për manipulime kundër partisë qeverisëse. “Sot kemi qenë dëshmitarë të një dhune zgjedhore të pashembullt”, tha drejtuesi i opozitës, Miroslav Aleksiç. “Sipas të dhënave tona në Beograd janë dhënë 40.000 dokumente identifikimi njerëzve që nuk jetojnë këtu.” Mediat serbe kishin raportuar për autobusë me njerëz të ardhur nga pjesa serbe e Bosnje-Hercegovinës që janë dërguar në Arenën e Beogradit për të votuar. Presidenti Vuçiq, i cili qeveris në funksione të ndryshme nga viti 2012 akuzohet për stil autoritar drejtimi dhe i përdor herë pas here zgjedhjet e parakohshme për të siguruar besnikërinë e funksionarëve dhe përkrahësve të tij.

Show More

Related Articles

Back to top button