Njëri nga themeluesit e ASH-së, ish deputet e kryetar dege dhe njëri nga më besnikët e kësaj partie, Syrija Rashidi u shkarkua vetëm pak muaj nga emërimi në krye të SHA Mepso. I pyetur për këtë, kreu i ASH-së deklaroi se ka qenë një vendim partiak për të bërë “rokadë” në këtë pozicion.
Për zërat nëse ka qenë Ziadin Sela ai që e ka dhënë urdhrin për shkarkimin e Rashidit, Taravari nuk deshi të përgjigjet direkt, duke shtuar se ndoshta ky vendim ka qenë i përshpejtuar.
Taravari e vlerësoi kontributin e Syrija Rashidin për Aleancën për Shqiptarët dhe shtoi se shpreson se Rashidi do të vazhdojë të japë kontribut në ASH.
“Unë nuk mund të them as gjysmë fjale të keq për zotin Rashidi. ka qenë aktivist, themelues, anëtar i kryesive, deputet, funksionar, drejtor. Nuk i konteston askush meritat e tij”, tha Taravari.
Arben Taravari deklaroi se është takuar me Rashidin dhe do të takohet sërish, ndërsa nuk e ka idenë nëse ky i fundit tani është i papunë.
I pyetur nëse kështu i shpërblen Aleanca aktivistët dhe ata që japin kontribut për të, kreu i ASH-së, tha se nuk ka hatërmbetje mes tij dhe Syrija Rashidit.