LajmeRajon

Alarmi për sulme të reja nga Serbia, çfarë fshihet pas paralajmërimit të Kurtit?

Raportet Kosovë-Serbi vazhdojnë të jenë të tensionuara.

Madje, pas sulmit terrorist në Banjskë, kanë vazhduar në vazhdimësi deklarata provokuese nga presidenti serb dhe politikanët tjerë të Beogradit.

Së fundi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk ka përjashtuar mundësinë e një sulmi të ri serb në territorin e Kosovës, pas atij të 24 shtatorit në Banjskë.


Së fundi në një intervistë të dhënë për gjermanen Stern, ai u pyet për mundësitë e një konflikti të ri nga Serbia.

Për këtë gjë, Kurti nuk përjashtoi mundësinë e një sulmi të ri, e për të cilin tha se nuk varet nga Kosova.

“Kemi një fqinj agresiv që nuk na pranon.

Nuk mund të përjashtojmë mundësinë e një sulmi sepse nuk varet nga ne. Por ne mbetemi vigjilentë dhe të mbështetur nga trupat tona dhe ato të aleatëve tanë të NATO-s, të cilët kanë shtuar mbështetjen e tyre që nga sulmet e shtatorit për të garantuar sigurinë e vendit tonë”.

“Ne vazhdimisht e ndiejmë agresionin serb: ata kanë 48 baza të avancuara ushtarake dhe xhandarmërie nëpër Kosovë – në formë patkoi”.

Mirëpo, mbetet të shihet nëse do provojë një gjë të tillë Serbia, kjo marrë parasysh numrin e shtuar të pjesëtarëve të KFOR-it në komunat veriore të Kosovës.

Halimi: Besojmë që institucionet tona shtetërore janë në koordinim të vazhdueshëm me mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë

Për këtë çështje në një prononcim për gazetën ‘Bota sot’ foli Armend Halimi nga Instituti për Studime të Sigurisë ISS.

ImageArmend HalimiFOTO GALERI
Së pari, ai tha se deklarata e Kurtit duhet të merret seriozisht.

Për këtë, vlerëson se informatat janë marrë nga burimet e inteligjencës nga tereni.

“Deklaratat e zyrtarëve shtetërorë kanë një bazë të fortë, sidomos e kryeministrit dhe presidentes, ato nuk guxojnë të dalin mbi bazën e hamendësimeve apo paragjykimeve.

Andaj, thirrjet e vazhdueshme të kryeministrit të Republikës së Kosovës për mundësinë e një sulmi apo sulmeve të reja qoftë terroriste apo të agresionit të hapur nga Serbia, vijnë si rezultat i informatave inteligjente nga tereni, çka edhe duhet të merren seriozisht nga vendorët e ndërkombëtarët.

Krejt këtyre deklaratave iu paraprijnë burime të sakta nga tereni, gjersa sipas legjislacionit, shefi i Agjencionit të Inteligjencës së Kosovës, AKI, është njëkohësisht edhe këshilltar për siguri i kryeministrit dhe presidentes”, deklaroi ai.

Halimi beson se institucionet e sigurisë janë në koordinim të vazhdueshëm me mekanizmat ndërkombëtar të sigurisë, e që nuk do lejojnë që veriu të shndërrohet në vatër lufte.

“Andaj, besojmë që institucionet tona shtetërore janë në koordinim të vazhdueshëm me mekanizmat ndërkombëtar të sigurisë, çka edhe kanë rritur numrin e pjesëtarëve për të menaxhuar pasigurinë eventuale që mund të vijë nga Serbia e Vuçiqit, me ndonjë metodë putiniste për të shndërruar veriun në vatër konflikti, e që të aneksohet pastaj, apo edhe me anë të akteve terroriste, gjë që shpresojmë bashkësia ndërkombëtare nuk do falë, ndryshe do të ishte absurde dorëzimi ndaj një Serbia gjenocidiale dhe përgjegjëse e së kaluarës dhe të tashmes”, përfundoi Armend Halimi për “Bota sot”.

Kelmendi: Aksionet terroriste serbe si në Banjskë do të ri përsëriten

ImageMuhamet KelmendiFOTO GALERI
Ndërsa, njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi në prononcimin e tij për “Bota sot”, ku tha se situata në veri vazhdon të jetë e tensionuar.

Po ashtu, tha se ka propaganda të vazhdueshme për bashkimin e serbëve në një shtet të vetëm, në këtë rast formimin e “botës serbe”.

“Gjendja në mes të Kosovës dhe Serbisë është që nga lufta jashtë kontrollit. Ato komuna në veri kurrë nuk u stabilizuan.

Francezët e krijuan një territor të pastër serb, duke dëbuar shqiptarët nga veriu, që tash po vepron për bashkimin e viseve veriore të Kosovës me shtetin serb, këtë qëllim e ka edhe Serbia.

Ideologjia kishtare serbe për bashkimin e botës serbe në Ballkan në një shtet me Serbinë, është bërë ideologji e vetë shtetit serb.

Në fushatë po propagandohet bashkimi i tërë serbëve në një shtet. Këtu duhet të bëjë pjesë Bosnja e Hercegovina, viset serbe në Kroaci, Mali i Zi, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Ky shtet që krijua nga Kongresi i Berlinit. Konferenca e Ambasadorëve, Mbledhja e Versait, po punon për ribashkimin e këtyre territoreve nën Serbi. Me këtë qëllim është veprimi aktual i shtetit serb, sikundër edhe propaganda aktuale dhe grupet e armatosura terroriste serbe”, deklaroi ai.

Krahas kësaj, Kelmendi tha se pavarësisht se ka pasur rritje të numrit të pjesëtarëve të KFOR-it, këto shifra duhet të shtohen ende, pasi numri aktual nuk do mjaftonte në rast të ndonjë sulmi me paramilitarë serbë.

“Këtu është Kosova në ballë të agresionit serb. Dhe, natyrisht se terrori i Banjskës e ka treguar këtë.

Për të ndalur këtë terrorizëm serbomadh, po kërkohet nga NATO, që të bëhet shtimi i trupave të KFOR-it në Kosovë. Anglia i ka dërguar edhe 400 forca të reja, SHBA dhe Turqia. Në vitin e ardhshëm do i dërgon edhe Gjermania rreth 180 forcave të reja. Aktualisht gjenden në Kosove rreth 5000 forca të KFOR-it. Natyrisht se nuk mjaftojnë nëse sulmohet Kosova me ushtri dhe paramilitarë serbë, kuptohet nga Serbia. Ndërsa, për rend dhe qetësi, pa agresion nga jashtë, janë në gjendje të ruajnë situatën.

Këtu duhet marrë për bazë edhe forcat policore dhe ushtarake të Kosovës. Shtimin e forcave kanë kërkuar shumë shtete të BE-së dhe jashtë saj, anëtarët e NATO-s, etj”, vlerësoi juristi.

Në fund, paralajmëroi mundësinë e aksioneve të reja terroriste nga bandat serbe, ngjashëm si ai në Banjskë, e për këtë gjë kërkoi kujdes.

“Shteti serb po vazhdon ideologjinë agresive dhe po përgatit forca terroriste për të bërë aksione terroriste në Kosovë. Priten veprime të ashpra dhe shumë të rënda.

KFOR dhe organet e sigurisë në Kosovë kërkohet të jenë syhapur dhe të përgatitur për t’u mbrojtur nga shteti serb. Aksionet terroriste serbe si në Banjskë do të ri përsëriten”, përmbylli Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

Show More

Related Articles

Back to top button