LajmeMaqedoni

Lloga: Zero persona të paregjistruar, të parët në Evropë dhe të dytët në botë në zgjidhjen e këtij problemi

Ministri i Drejtësisë Krenar Lloga dhe kryeministri Dimitar Kovacevski , personave të paevidentuar ua dorëzoi certifikatat nga libri amë të të lindurve.

“Zero persona të paregjistruar! Vendi i parë në Evropë dhe i dyti në botë në zgjidhjen e problemit të personave të paregjistruar. Këta njerëz nuk do të jenë më të margjinalizuar, të diskriminuar, të privuar nga qasja në mbrojtje shëndetësore dhe sociale, arsim dhe qasje në drejtësi”, theksoi sot ministri i drejtësisë i Maqedonisë së Veriut, Krenar Lloga.

Ai sot së bashku me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, drejtorin e DULA-së, Emir Sulejmani, Sekretarin Shtetëror në MD, Muhamed Toçi dhe deputeten, Latifa Shikovska, personave të paevidentuar ua dorëzuan certifikatat nga libri amë i të lindurve.

Ministria e Drejtësisë mbështeti dhe koordinoi procesin për zgjidhje sistematike dhe të përhershme të problemit prej disa dekadash të rreth 700 personave, shumica e të cilëve që ishin të paevidentuar dhe të paregjistruar në librin amë të të lindurve.

“E mbështetëm përgatitjen e Ligjit për personat e paevidentuar në librin amë të të lindurve, që është miratuar në vitin 2020. Propozim Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e këtij ligji ishte dorëzuar nga një grup i deputetëve në Kuvend, ndërsa u miratua më 14 qershor të vitit 2023. Në përputhje me Konventën për të Drejtat e Fëmijëve, me këtë ligj garantohet e drejta e regjistrimit në librin amë të të lindurve të çdo fëmije të lindur në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut menjëherë ndërsa më së voni 45 ditë nga dita e lindjes së fëmijës, pavarësisht nga shtetësia dhe statusi personal i prindërve të tij. Miratimi i këtij ligji tregoi vullnetin tonë politik për të respektuar të drejtat e njeriut të personave të paevidentuar. Mirënjohje për organizatat joqeveritare, UNHCR-në dhe OSBE-në për mbështetjen e vazhdueshme që na japin për zgjidhjen e problemit të personave të paevidentuar në librat amë”, theksoi ministri Lloga.

Show More

Related Articles

Back to top button