Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka ndarë dje vendimet për miratimin e projekteve për komunat në vlerë prej dy miliardë denarë (32.5 milionë euro), të cilat janë të dedikuara për realizimin e më shumë se 60 projekteve në komunat e vendit, përfshirë edhe ato të qyteti të Shkupit (Komuna Qendër, Gjorçe Petrov, Saraj, Aerodrom, Ohër, Makedonski Brod, Manastir, Kriva Pallankë, Shtip, Likov, Kërçovë, Vallandovë, Strumicë, Rosoman, Dojran, Berovë, Dellçevë, Zhelinë dhe Gostivar). Thënë me fjalë tjera, nga 63 komuna që përfitojnë mjete për projekte kapitale, vetëm 10 janë që udhëhiqen nga kryetarë shqiptarë. Me vendim është paraparë që këto mjete të dedikohen për realizimin e projekteve që do të plotësojnë nevojat e qytetarëve në nivel lokal, si ndërtimi dhe zgjerimi i institucioneve arsimore dhe shëndetësore, objekteve sportive, pastaj realizimi i projekteve në fushën e infrastrukturës, si dhe projekte në fushën e mbrojtjes së mjedisit që ndikojnë në përmirësimin e shëndetit të qytetarëve.
Marrëveshjet janë nënshkruar nga përfaqësues të ministrive/institucioneve dhe komunave, ndërsa fjalim ka mbajtur kryeministri Dimitar Kovaçevski. Në ngjarje kanë marrë pjesë edhe zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, ministri i Financave, Fatmir Besimi, ai i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, i Arsimit, Jeton Shaqiri, ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska, e Kulturës, Bisera Kostadinovska-Stojçevska, i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski, dhe ministrja e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Kaja Shukova, si dhe Naumçe Mojsovski, drejtor i Agjencisë për Rini dhe Sport dhe kryetarë të komunave.
Nga projektet e infrastrukturës rrugore, gjithsej 360 milionë denarë nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve do t’i ndahen Qytetit të Shkupit për ndërtimin e bulevardit “Hasan Prishtina” në lagjen Vizbegë. Ndër projektet më të mëdha, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve do të ndajë 110 milionë denarë për rindërtimin e rrugës “8 Shtatori” në Orizare të Epërme në Manastir. Mjete do të ndahen edhe për përfundimin e urës “Ljubjanska” në Shkup. Ministria e Arsimit dhe Shkencës ndan 100 milionë denarë për vazhdimin e ndërtimit të shkollë fillore “Bllazhe Koneski” në Komunën e Aerodromit, ndërsa me mjete të kësaj ministrie do të ndërtohet edhe shkolla fillore “Kliment Ohridski” në fshatin Draçevë dhe është planifikuar ndërtimi i shkollës së re fillore “Krste Misirkov”.
Me mjete të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës do të ndërtohet një sallë sportive në shkollën “Vanço Nikoleski” në fshatin Leskoec të Ohrit, si dhe do të rindërtohet dhe përshtatet hapësira për objektin e ri shkollor për nevojat e shkollës “Koço Racin” në Ohër.
Do të ndërtohen edhe kopshte të reja. Me mjete nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale në vlerë prej 60 milionë denarë, në kuadër të kopshtit “Rosica” në Stopanski Dvor, Komuna Gjorçe Petrov do të ndërtojë çerdhe të re me kapacitet për 100 fëmijë.
Zgjerime dhe përmirësime janë planifikuar edhe për çerdhet në Komunën e Aerodromit. Në Prilep do të ndërtohet një fabrikë për riciklimin e mbeturinave me mjete nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në vlerë prej 90 milionë denarë. Në sferën e mjedisit është paraparë ndërtimi i impianteve të trajtimit në Çuçer Sandevë dhe Pllasnicë. Në Komunën e Ilindenit do të bëhet rikonstruksioni i autoambulancës, për të cilën Ministria e Shëndetësisë ka ndarë 8 milionë denarë për këtë qëllim. Ndarja e mjeteve nga Qeveria parasheh edhe ndërtimin e sallës sportive në Komunën e Shtipit me mjete të Agjencisë për Rini dhe Sport. Megjithatë, për Çairin, Strugën dhe Tetovën nuk janë paraparë mjete për projekte. Mjete nuk janë paraparë as për Studeniçanin dhe Haraçinën. Në ndërkohë, për disa nga komunat maqedonase, janë paraparë jo nga një – por nga dy apo tre projekte të ndryshme.
53 PROJEKTET QË U FIRMOSËN PËR KOMUNËT MAQEDONASE
- MSH-Ilindeni, ambulancë
- MASH-Aerodromi, zgjerim shkolle
- MASH-Gazi Babë, zgjerim shkolle
- MASH-Kisella Voda, zgjerim shkolle
- MASH-Ohër, shkollë
- MASH-Ohër, sallë sporti
- MPPS-Aedordom, kopsht për fëmijë
- MPPS-Butel, kopsht për fëmijë
- MPPS-Gjorçe Petrov, kopsht për fëmijë
- MPPS-Karposhi, kopsht për fëmijë
- MPPS-Kisella Voda, kopsht për fëmijë
- MTL-Berova, rrugë
- MTL Manastir rrugë
- MTL Bogdanc rrugë
- MTL Bogdanc rrugë
- MTL-Qyteti i Shkupit, rrugë
- MTL-Dellçeva, rrugë
- MTL-Dellçeva, rrugë
- MTL-Demir Kapi, rrugë
- MTL-Dojrani, garazhë në kate
- MTL Ilindeni rrugë
- MTL Jegunovca rrugë
- MTL Karposhi rrugë
- MTL-Kërçova, rrugë
- MTL-Kriva Pallanka, rrugë
- MTL-Kriva Pallanka, rrugë
- MTL-Kriva Pallanka, rrugë
- MTL-Krivogashtan, rrugë
- MTL-Krusheva, rrugë
- MTL-Mavrovë Rostushë, rrugë
- MTL-Mavrovë Rostushë, vendparkime
- MTL-Makedonski Brod, rrugë
- MTL-Pehçeva, rrugë
- MTL-Probishtip, rrugë
- MTL-Rosoman, tregu i gjelbër
- MTL-ShënNikollë, rrugë dhe urë
- MTL-Nagoriçan i Vjetër, rrugë
- MTL-Nagoriçan i Vjetër, rrugë
- MTL-Nagoriçan i Vjetër, rrugë
- MTL-Strumica, lagje sociale
- MTL-Qendër, rrugë
- MTL-Qendër, rrugë
- MTL-Qendër, rrugë
- MTL-Çashka, rrugë
- MTL-Çashka, regjistër adresash
- Ministria e Ambientit-Berova, mbrojtje ambienti
- Ministria e Ambientit-Vallandova, kolektor
- Ministria e Ambientit-Çuçer Sandeva, mbrojtje ambient
- Ministria e Ambientit-Pllasnica, stacion filtrues
- Ministria e Ambientit-Prilep, mbrojtje ambient
- Agjencia për të Rinj dhe Sport-Veles, terrene sportive
- Agjencia për të Rinj dhe Sport-Shtip, sallë sporti
- Agjencia për të Rinj dhe Sport-Gjorçe Petrov, terrene sportive
10 PROJEKTET QË U FIRMOSËN PËR KOMUNËT SHQIPTARE
- MTL-Tearca, rrugë
- MTL-Saraj, rrugë
- MTL-Zhelina, rrugë
- MTL Bogovinë rrugë
- MTL Vrapçishnt rrugë
- MTL-Gostivar, rrugë
- MTL-Gostivar, rrugë
- MTL-Gostivar, rrugë
- MTL-Dibra, rrugë
- Ministria e Kulturës-Likovë, Shtëpia e Kulturës Mateç \koha\