BotaLajmeRajon

Analisti serb thotë se Rusia në fakt e ka njohur Kosovën

Kërkesa për njohjen e rajoneve ukrainase të okupuara nga seperatistët rusë Donetsk dhe Lugansk dhe konsiderimi i Kosovës si shtet i pavarur nga Ministria e Mbrojtjes, tregon se Rusia de fakto e ka njohur Kosovën, thotë analisti serb Orhan Dragash.

Ai shton se Moska e konsideron Kosovën si një shtet të pavarur.

 “Kur ka kaq shumë sinjale që tregojnë se Rusia do ta njohë Kosovën, sepse kërkon njohje të ngjashme për Donetsk dhe Lugansk, këto nuk janë më rastësi. Ministria ruse e Mbrojtjes definitivisht e konsideron Kosovën shtet të pavarur. Ajo e përfshiu Kosovën në listën e shteteve, qytetarët e të cilave erdhën për të luftuar në anën e Ukrainës, së bashku me Poloninë, Britaninë e Madhe, Shtetet e Bashkuara dhe rreth gjashtëdhjetë vende të tjera nga e gjithë bota që janë anëtare të OKB-së”, thotë Dragash.

Sipas tij, ky veprim bëhet sidomos kur Rusia dëshiron të përfitojë nga favori për pushtimet e saja territoriale.

“Diplomatët rusë nuk u përpoqën t’i ‘fusin në kontekst’ fjalët e fundit të Vladimir Putin kur në një bisedë me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres tha se ai e njeh pavarësinë e Donetskut dhe Luhanskut bazuar në rastin e Kosovës, si një precedent”, thekson analisti serb në një shkrim në ea.

Në anën tjetër, Dragash tregon se diplomatët rusë e dinin se ky identifikim i Kosovës me Donetskun dhe Luhanskun ishte një tronditje për Serbinë.

“Nuk ishte rastësi që Vladimir Putin pati një bisedë të përzemërt me Hashim Thaçin në Paris për të përkujtuar 100-vjetorin e përfundimit të Luftës së Parë Botërore, të dy duke u paraqitur si të barabartë. Sërish, nuk ishte rastësi kur njeriu i parë i Federatës Ruse të Futbollit, Aleksandr Avdeyev uroi kolegun e tij kosovar Agim Ademi për marrjen e detyrës me mesazhin se ‘Kosova mund të llogarisë gjithmonë në mbështetjen e Federatës Ruse të Futbollit në të gjitha çështjet e futbollit’”, tregon Dragash.

Ai shton se pesë vendet e BE-së që nuk e ka njohur deri më tani pavarësinë e Kosovës, nuk janë më afër pranimit sesa Rusia.

“Vendi më afër njohjes së Kosovës nuk është asnjëri prej tyre – Spanja, Sllovakia, Rumania, Greqia dhe Qipro – por Rusia. Asnjë prej tyre nuk ka arsye të reja për ta njohur Kosovën, por Rusia ka. Dhe rusët do ta bëjnë shumë përpara pesëshes së BE-së ‘të pabindur’”, shton ai.

Në fund, Dragash pohon se nga fillimi i agresionit ushtarak rus në Ukrainë, Serbia është humbësja më e madhe.

Show More

Related Articles

Back to top button