Gjykata Kushtetuese ka legjitimuar masën e marrë ndaj Sali Berishës nga GJKKO, për “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit”.
Me shumicë votash Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar padinë e bërë nga një grup deputetësh të opozitës, ku kërkohej pezullimi i masave nga Prokuroria e Posaçme ndaj ish kryeministrit Sali Berisha.
Gjykata argumenton se kërkesa e deputetëve rrëzohet pasi nuk janë subjekt në konflikt dhe duhet të jetë vetë Berisha ai i cili duhet t’i drejtohet gjykatës.
“Kërkuesi, grupi i deputetëve nuk legjitimohet t’i drejtohet Gjykatës pasi referuar mosmarrëveshjes së pretenduar të kompetencave, ai nuk është subjekt në konflikt, pra nuk rezulton t’i jetë marrë ndonjë kompetencë apo të jetë cenuar drejtpërdrejt në ndonjë kompetencë. Grupi i një të pestës së deputetëve, pavarësisht se është pjesë e ushtrimit të veprimtarisë legjislative të Kuvendit, nuk nënkupton që ai është subjekti kushtetues për të cilin bën fjalë neni 73, pika 2, i Kushtetutës, pra ai nuk mund të veprojë në emër dhe me tagrat e Kuvendit”– thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Deputetët kërkuan rrëzimin e masës “detyrim paraqitje” ndaj Sali Berishës, me pretendimin se vendimi është antikushtetues dhe është marrë pa autorizimin e Kuvendit.