Nga sot Lidhja Evropiane për Ndryshim numëron katër parti. Krahas Lëvizjes Demokratike, Besës dhe Alternativës në këtë lidhje hyn edhe Levizja Vetëvendosje, tha Kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti.
Sipas tij, programi zgjedhor tashmë bëhet bashkë, zyra është e përbashkët, fushata do të jetë e përbashkët dhe në listat zgjedhore të këtij koalicioni do të ketë anëtarë të Vetëvendosjes.
“Jemi bashkë me Bilallin dhe Afrimin, por prej sot edhe zyrtarisht edhe me Bekim Qokun anëtarin e Këshillit të përgjithshëm, këshilltarin e Kryeministrit, Albin Kurti, në partneritet po e nisim këtë rrugë për ta bërë ndryshimin, ashtu siç ndodhi në Kosovë, në Luginën e Preshevës, radhën e ka ndryshimi të vjen tek shqiptarët e Maqedonisë”, tha Izet Mexhiti.
Shtyllë e katërt e koalicionit u quajt partneriteti me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Unë sot jam këtu për të inicuar bashkëpunimin tonë si Lëvizja Vetëvendosje, një lloj shtylle e katërt e këtij koalicioni tashmë të etabluar këtu, për të sjellë ndryshimin e munguar tash e 20 vjet që realizohet përmes të këtij regjimi që është në RMV. Vetëvendosja natyrisht që nuk mund të rrijë duarkryq”, tha Bekim Qoku.
Kryetarët e Lëvizjes Besa dhe Alterativës, Bilall Kasami dhe Afrim Gashi u shprehën të bindur se nga sot nis ndryshimi për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.
“Ne nuk do të jemi në një qeveri ku për simbolikë do të luftojmë për pozicione, por do të jemi në një qeveri që do t’u shërbejë qytetarëve. Ne nuk do të luftojmë për pushtet, por do të luftojmë që shteti i Maqedonisë së Veriut t’u shërbejë shqiptarëve aq sa edhe maqedonasve”, tha Bilall Kasami.
“Kisha dasht që prej sot duke qenë këtu në Shkup, secili qytetar që e ndjen veten se duhet t’i shërbejë ndryshimit, e ka derën hapur. Edhe pjesëtarë të subjekteve tjera, bujrum dera çelë, prej sot fillon ndryshimi i madh”.
Opozita shqiptare ka paralajmëruar se nëse deri në vitin e ri nuk kanë përfaqësuesin e tyre në vendin e zbrazur në KSHZ, nuk do të qëndrojnë duarkryq dhe do të bojkotojnë Kuvendin. Opozita shqiptare paralajmëron edhe masa radikale nëse Kuvendi nuk e voton Abdush Demirin për anëtar të KSHZ-së.