Anëtarë të sindikatës të punëtorëve nga Administrata, organet e drejtësisë dhe shoqatat e qytetarëve, mbajtën protestë të qetë para Ministrisë së Financave. Arsyeja ishte masa e përkohshme nga Gjykata Kushtetuese për rritjen e pagave për 30% të punonjësve në Ministrinë e Financave dhe organeve të të administratës shtetërore të cilat janë të lidhura me buxhetin. Protestuan anëtarë të administratës së Ministrisë së Financave, Drejtorisë për Çështje Juridiko-Pronësore si dhe Byroja për Furnizime Publike.
“Nëse sillet vendim për shfuqizim të atij dekreti, atëherë punonjësit duhet t’i kthejnë prapa në buxhet, të hollat që i kanë fituar thuajse një vit. Shfrytëzoj rastin të apeloj deri te gjykatësit kushtetues, të punojë pak te ata njerëzillëku sepse për herë të parë në histori, është Gjykata Kushtetuese të sjellë masë të përkohshme e cila dëmton të punësuarit në shtet. Sapo u gëzuam se një institucion do të lëvizë përpara, të punësuarit do të marrin rritje dhe shtesa të pagave, institucion tjetër, në këtë rast Gjykata Kushtetuese sjellë vendim që të shkurtojë këto shtesa në paga”, tha Trpe Deanoski, kryetar i AOGJSH-së.
Deanoski shton se pagat që marrin këto administratorë janë shumë larg pagës mesatare ndërsa bëhet fjalë për rreth 550 të punësuar. Sipas tij, ekziston mundësia që administratorët e Ministrisë së Financave të bojkotojnë punën, dhe në këtë mënyrë e gjithë administrata shtetërore të ngelet pa pagë.
E ndërkohë Gjykata Kushtetuese ende nuk ka marrë vendim final nëse do të shfuqizojë dekretin e shtesave të pagave apo administratorët do të vazhdojnë të marrin shtesa prej 30%.
“Ende po punohet në këtë lëndë, nuk do të ketë ndryshime derisa nuk ka vendim final. Nuk vendoset për masë veçmas në seancë, por në korniza të sjelljes së vendimit, nga ana e të gjithë gjykatësve. Në asnjë rast Gjykata nuk ka vendosur nëse të punësuarit duhet t’i kthejnë të hollat. Nuk ka një gjë të tillë deri tani. Se çfarë më tej, do të dihet pasi të sillet vendimi”, thonë nga Gjykata Kushtetuese.