Nga Ministria e Punëve të Brendshme sot kanë dhënë detaje shtesë nga tragjedia që ndodhi gjatë ditës së djeshme në Çellopek, ku mbetën të vrarë dy persona ndërsa u plagos një tjetër dhe personi që dyshohet që ka kryer vrasjet, përcjell TV21. Policia tashmë ka identifikuar edhe dy viktimat.
“Policia e Departamentit në Zherovjanka ka privuar nga liria I.I.(59) nga fshati Çellopek, pas kallëzimit se rreth orës 14.10, se në fshat ka vrarë me armë zjarri të afërmit e tij F.XH.(52) dhe M.XH.(28) dhe ka plagosur A.XH.(54), të gjithë nga i njëjti fshat. I dyshuari, i cili gjithashtu është plagosur me armë zjarri, është ndaluar në stacionin policor dhe është dërguar në Spitalin Klinik të Tetovës për ndihmë mjekësore”, shtojnë nga MPB.
Nga MPB thonë se në vendin e ngjarjes janë gjetur 3 pistoleta.
“Kontroll në vendin e ngjarjes ka kryer edhe prokurori publik dhe ekipi inspektues i SPB-Tetovë, ndërsa janë gjetur dhe konfiskuar 3 armë. Njëra armë i është marrë të arrestuarit, ndërsa dy të tjerat janë gjetur në afërsi të të ndjerëve F.XH. dhe M.XH.”, shtojnë nga MPB.
Motivet ende nuk janë bërë të ditura, por ministri i Brendshëm Oliver Spasovski dje tha se deri në këtë tragjedi kanë çuar çështjet e pazgjidhura pronësore.
“Kolegët punojnë për momentin për zbardhjen e kësaj ngjarje. Bëhet fjalë për çështje të pazgjidhura pronësore në një familje. Këto janë informacionet e para që më dërguan kolegët nga terreni. Presim që së shpejti të rrumbullakohet i gjithë ai procesi dhe të kemi detaje nga ngjarja”, tha Oliver Spasovski, ministër i Brendshëm.
Nga MPB shtojnë se me urdhër të prokurorit, trupat e të vrarëve janë dorëzuar për obduksion, ndërsa shtojnë se pas dokumentimit të plotë të rastit, do të dorëzohet kallëzim përkatës./tv21.tv