Shkup, 16 korrik – Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Shkup nga data 13 deri më 16 korrik zhvilluan kampin veror për gazetarët e rinj në Ohër.
Qëllimi i trajnimit edukativ është të kontribuojë në ngritjen e kapaciteteve dhe përmirësimin e standardeve profesionale të gazetarëve të rinj në redaksi përmes shoqërimit dhe shkëmbimit të përvojave dhe aftësive. Theksi kryesor u vu në përmirësimin e bashkëpunimit të gazetarëve të rinj me kolegët e tyre më me përvojë në redaksi, si dhe nevojën për edukim të vazhdueshëm gazetaresk formal dhe informal.
Kampin veror e hapi kryetari i SHGM-së, Mladen Çadikovski, i cili tha:
“Sot gazetarët e rinj përballen me sfida edhe më të mëdha, për shkak të digjitalizimit të mediave. Por, nëse e hedhim një vështrim më të afërt në këtë problematikë, nga njëra anë realisht jep më shumë liri për sa i përket aksesit në informacione por, nga ana tjetër, nëse nuk kanalizohet siç duhet, mbart rrezikun e keqinformimit, keqinterpretimit të lajmeve dhe informacioneve ose, me një fjalë, vë në pikëpyetje raportimin profesional. Ky është momenti që të gjithë ne duhet të njohim dhe zbatojmë përvojën dhe forcën e re që do të bëjë një ndryshim. Le ta pranojmë sfidën së bashku, sepse vetëm kështu mund të shkojmë drejt ndryshimeve pozitive dhe ta kthejmë gazetarinë aty ku i takon me profesionistë të vërtetë që do të qëndrojnë me krenari pas çdo produkti të tyre mediatik”.
Fjalim përshëndetës mbajti edhe zëvendësshefi i Misionit të OSBE-së në Shkup, Xhef Goldstajn, i cili tha:
“Gazetaria luan një rol shumë të rëndësishëm në shtetet demokratike, veçanërisht gazetaria investigative. Megjithatë, gazetaria është profesion i vështirë kudo, dhe sfidat në Maqedoninë e Veriut janë të veçanta, sepse ekziston një faktor i rëndësishëm ekonomik – siç e dini Ju më mirë se kushdo tjetër. Si rezultat i kësaj, numri i të rinjve që regjistrohen në studimet për gazetari në universitete është shumë i ulët. Për t’iu kundërvënë këtyre tendencave negative dhe në drejtim të nxitjes së interesimit të të rinjve për këtë profesionin, për të avancuar aftësitë e tyre profesionale, Misioni ynë në partneritet me SHGM e organizon këtë kamp veror.”
Temat që u shtjelluan dhe u diskutuan mes pjesëmarrësve dhe ligjëruesve ishin barazia gjinore në raportimin mediatik, e ardhmja e mediave, përvojat dhe praktika në gazetarinë narrative dhe gazetaria në epokën digjitale.
Disa nga pjesëmarrësit në kampin veror janë edhe anëtarë të Seksionit të Gazetarëve të Rinj pranë SHGM-së, i cili është themeluar në fund të vitit 2021, qëllimi i të cilit është, ndër të tjera, rrjetëzimi ndërmjet redaksive, përmirësimi i statusit socio-ekonomik të gazetarëve të rinj, ngritja e aftësive për raportim të avancuar dhe respektimi i standardeve në profesionin e gazetarisë.
Ky aktivitet është vazhdimësi e bashkëpunimit ndërmjet SHGM-së dhe Misionit të OSBE-së në Shkup, të cilët në vitet e kaluara kanë qenë së bashku aktivë në temat që kanë të bëjnë me sigurinë e gazetarëve dhe ngritjen e kapaciteteve të SHGM-së.