LajmeRajon

Shkëmbim zjarri mes policisë dhe disa personave në Zubin Potok, arrestohet një i dyshuar

Gjatë realizimit të detyrave e aktiviteteve policore, zyrtarë policorë nga Njësia e Ndërhyrjes së Shpejtë e Policisë Kufitare, sot rreth orës 06:15, në Bube të Zubin Potokut, kanë vënë re lëvizje të dyshimta të disa automjeteve.

Në përpjekje për t’i ndaluar dhe kontrolluar automjetet e dyshuara, policia ka hasur në rezistencë të armatosur nga persona të dyshuar.

Të ndodhur në një situatë të tillë, për të mbrojtur vetën dhe vënë situatën nën kontroll, zyrtarët policorë i janë kundërpërgjigjur sulmit me armë dhe kanë arritur ta arrestojnë njërin nga të dyshuarit D.I., (1981), serb nga Zubin Potoku. Gjatë shkëmbimit të zjarrit, zyrtarët policorë dhe i arrestuari nuk kanë pësuar lëndime.

Gjatë kontrollit të kamionit, janë gjetur 40 copë dele, pa dokumentacion përcjellës e që dyshohet se janë kontrabandë nga Serbia në Kosovë. Po ashtu janë hasur edhe dy automjete të braktisura, të cilat dyshohet se kanë qenë në përcjellje të kamionit.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore, përfshirë IPK-në dhe për rastin është njoftuar prokurori.

Ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti kundrejt dy veprave penale sulmi ndaj personit zyrtar dhe kontrabanda e mallrave.

Kamioni me dele është dërguar në terminalin doganor, dy veturat e hasura në vend-ngjarje janë konfiskuar, ndërsa me aktvendim nga prokurori, i dyshuari dërgohet në mbajtje 48 orë.

Show More

Related Articles

Back to top button