LajmeRajon

Liberalizimi i vizave tashmë është realitet

Pritja e gjatë përfundoi. Liberalizimi i vizave tashmë ka hyrë në fuqi. Për të shënuar këtë ditë historike, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministren njëherësh Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Shwarz, përcollën qytetarët që po lëvizin pa viza, përfshirë 50 fituesit e udhëtimit drejt Vjenës, mundësi kjo e fituar në kuadër të fushatës sonë informuese.

“Ky mëngjes i vitit të ri 2024 nuk ka se si t’ia fillojë më mbarë se sa me zgjerimin e të drejtave dhe mundësive për qytetarët e Republikës tonë.” tha kryeministri Kurti.

Ai shtoi se kemi pritur shumë gjatë, jemi privuar nga shumë mundësi e sot po hiqet një padrejtësi e madhe e po fitohet një e drejtë e rëndësishme, ajo e udhëtimit pa viza në zonën Shengen. E bashkë me këtë proces, kryeministri theksoi se po forcohet edhe pasaporta e Republikës sonë, me të cilën qytetarët tanë do të mund të udhëtojnë pa viza në 32 vende më shumë, si forcim i identitetit dhe dinjitetit tonë si shtet në arenën ndërkombëtare.

“Këtë të drejtë të fituar me vështirësi duhet ta gëzojmë me përgjegjësi. Të respektojmë kërkesat e kriteret sepse kështu respektojmë dhe lartësojmë shtetin tonë. E kudo që të udhëtojmë, le ta kujtojmë e kurrë mos të harrojmë, se shtëpia jonë është Kosova jonë e dashur.” përfundoi kryeministri Kurti.

Ministrja Gërvalla nga ana e saj, uroi të gjithë qytetarët për këtë arritje të rëndësishme, duke rikujtuar sfidat dhe kohën e humbur përgjatë viteve në sigurimin e një vize për udhëtime afatshkurtra. Ajo shtoi se tashmë kjo është mundësi të vizitojmë familjarët tanë, por edhe për bizneset e Kosovës të zgjerojnë fushën e tyre të aktivitetit, e për të rinjtë mundësi për të eksploruar mundësi të ndryshme e vizituar kryeqendrat evropiane.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Të dashur qytetarë,

Të nderuar gazetarë,

Jam bashkë këtu me zëvendëskryeministren e Republikës së Kosovës dhe Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla-Shwarz.

Qysh mbrëmë pas orës 24, zyrtarisht ka hyrë në fuqi vendimi për liberalizimin e vizave. Andaj, ky mëngjes i vitit të ri 2024 nuk ka se si t’ia fillojë më mbarë se sa me zgjerimin e të drejtave dhe mundësive për qytetarët e Republikës tonë.

Kemi pritur shumë gjatë. Jemi privuar nga shumë mundësi. Prandaj kjo ditë, është një ditë e rëndësishme. Po hiqet një padrejtësi e madhe e po fitohet një e drejtë e rëndësishme, e drejta e udhëtimit pa viza në zonën Shengen.

E bashkë me të po forcohet edhe pasaporta e Republikës sonë, me të cilën qytetarët tanë nga tash do të mund të udhëtojnë pa viza në 32 vende më shumë.

Forcimi i dokumenteve tona të udhëtimit, krahas përfitimeve të përditshme, është forcim i identitetit dhe dinjitetit tonë si shtet në arenën ndërkombëtare.

Për të shënuar këtë arritje të rëndësishme, sot do të udhëtojnë për në qytetin e bukur të Vjenës 50 qytetarë të cilët e fituan këtë të mundësi në kuadër të fushatës sonë informuese.

Këtë të drejtë të fituar me vështirësi duhet ta gëzojmë me përgjegjësi. Të respektojmë kërkesat e kriteret sepse kështu respektojmë dhe lartësojmë shtetin tonë.

E kudo që të udhëtojmë, le ta kujtojmë e kurrë mos të harrojmë, se shtëpia jonë është Kosova jonë e dashur.

Udhëtim të mbarë të gjithë atyre që udhëtojnë sot.

Të gjithë qytetarëve, edhe një herë urime viti i ri 2024, e për herë të fundit, urime liberalizimi i vizave.

Ju faleminderit e gëzuar!

Show More

Related Articles

Back to top button