Zëdhënësi i Bashkimi Evropian, Peter Stano, ka thënë se takimi i ardhshëm në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të jetë në çdo kohë kur ka vullnet dhe kur ka një agjendë për të.
“Ne asnjëherë nuk spekulojmë për asnjë takim të radhës. Siç e thash puna në dialog është duke u zhvilluar dhe puna rreth dialogut vazhdon çdo ditë në nivele të ndryshme. Nëse do të ketë takim të nivelit të lartë ndërmjet Kryeministrit të Kosovës dhe Presidentit të Serbisë ne gjithmonë do ta bëjmë publike disa ditë më herët. Teorikisht takimi është i mundshëm në çdo kohë kur ka vullnet për t’u takuar dhe kur ka një agjendë për të”, tha Stano.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka deklaruar sot se masat ndaj Kosovës do të vazhdojnë të mbeten ende në fuqi deri në momentin kur hapa të mjaftueshëm poizitiv të jenë ndërmarr.
“Sa i përket masave, natyrisht se ne po e përcjellim situatën çdo ditë nga afër. Ne kemi njerëz në terren dhe i kemi dedikuar përpjekjet dhe vëmendjen tonë për të parë se çfarë po ndodh. Ne gjithashtu po punojmë me partnerët për t’i ndihmuar për të ndërmarrë hapa të nevojshëm për të deeskaluar dhe për t’u përballur me problemet që kanë kontribuuar në krizat e fundit dhe kur hapa të mjaftueshëm poizitiv të jenë ndërmarr atëherë BE-ja do të rivlerësojë masat e marra ndaj Kosovës dhe heqjen e mundshme të tyre”, tha Stano.
Qeveria e Kosovës ishte njoftuar për masat e BE-së më 28 qershor dhe ato hynë në fillim të korrikut. Ato u vendosën për shkak të mospërmbushjes së kushteve të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës. Tensionet në këtë zonë të banuar me shumicë serbe u rritën në fund të majit.
Masat ndëshkuese përfshijnë: suspendimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
Po ashtu masat përfshijnë edhe ndaljen e programimit të fondeve për Kosovën nga IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit). Propozimet e Kosovës në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor nuk janë dorëzuar për shqyrtim nga bordi më 29 dhe 30 qershor.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano tha se është parë se përparimi është i mundshëm pas vendimit për targat.
“Punë rreth dialogut po vazhdon dhe fokusi i kësaj pune është në zbatimin e asaj që është pajtuar në pranverën e vitit të kaluar në Bruksel dhe në Ohër. Kjo është shumë e rëndësishme. Kemi parë se përparimi është i mundshëm, meqë ditë më parë edhe Kosova edhe Serbia janë pajtuar rreth çështjes së targave për heqjen e regjimit të stikersave. Kjo është një dëshmi konkrete se përparimi është i mundshëm kur ka një vullnet të mirë. Ne shpresojmë se kjo do të vazhdojë edhe pasi të jetë krijuar Qeveria e re e Serbisë. Ne do të vazhdojmë të angazhojmë dhe të punojmë me partnerët që t’iu ndihmojmë atyre sepse kjo është detyrë për ta dhe jo për ne për të zbatuar çdo gjë që është pajtuar. Pra ishin marrëveshje obliguese. Prandaj BE-ja dhe vendet anëtare të saj, presin që të dyja palët të procedojnë sa më shpejt të jetë e mundur. Nuk ka kohë për të humbur”, ka thënë Stano.
Më 25 dhjetor, Qeveria e Serbisë vendosi të lejonte makinat me targa RKS – Republika e Kosovës – të lëvizin lirshëm në territorin e shtetit të saj dhe vendimi nis së zbatuari më 1 janar të vitit 2024.
Ndërkaq, më 4 janar Qeveria e Kosovës vendosi që të heqë regjimin e letrave ngjitëse për makinat me targa të Serbisë./21Media