Derisa tekniku mjekësor po i jepte terapinë, pacienti 77 vjeçar i shtruar në spitalin 8 Shtatori, e goditi me thikë nga mbrapa duke e lënduar atë, shkruan Alsat.
Gjendja e punonjësit shëndetësor është e mirë, njoftoi drejtori i spitalit, Hristijan Kostov.
Ai sqaroi se pacienti i cili ka probleme me zemrën, është diagnostikuar me çrregullim mendor që shfaqet në mënyrë akute dhe është i paparashikueshëm.
“Psikiatri, i cili e ka kontrolluar pacientin tha se bëhet fjalë për çrregullim mendor për shkak të ndonjë sëmundje fizike. Pacienti me një mjet metali të fortë, e sulmoi teknikun mjekësor që ishte në detyrë, duke i shkaktuar një plagë të vogël në lëkurë. Bëhet fjalë për një lëndim që nuk është serioz, por stresi që e ka përjetuar tekniku është shumë i madh. Pacienti deri më tani nuk ka pasur diagnozë psikiatrike dhe. Psikiatri që e kontrolloi një ditë më parë tha se ai ishte shumë i shqetësuar dhe konfuz dhe tekstualisht nuk i kujtohet momenti i kryerjes së sulmit. Pra është një çrregullim momental mendor”, tha Hristijan Kostov, Drejtor i spitalit 8 Shtatori.
Lidhur me këtë incident ka reaguar Sindikata e Pavarur e Punonjësve Shëndetësorë.
“Qytetarëve të dhunshëm e nervozë që kanë nevojë për mbrojtje shëndetësore u themi që t’i lënë në shtëpitë dhe makinat e tyre pistoletat e thikat, ndërsa në institucionet shëndetësore të shkojnë të paarmatosur” , theksoi Sindikata e Pavarur e Punonjësve Shëndetësorë.
Sindikata kërkon rritje të sigurisë për punonjësit shëndetësorë.
Ndërkohë drejtor i spitalit thotë se po mendohet për rritjen e sigurisë, por dhe kontrolli i çantave të pacientëve të shtruar në spital, me qëllim shmangien e rasteve të tilla./ Alsat.mk