Në Departamentin e Shtetit Amerikan, ministri i Punëve të Brendshme i RMV-së, Oliver Spasovski, ka takuar ndihmës sekretarin e shtetit amerikan për Evropë dhe Euroazi, James O’Brien.
Siç njoftojnë nga MPB, takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe u diskutua për disa tema, duke përfshirë mbështetjen e SHBA-së për Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe shtetin në përgjithësi, progresin në luftën kundër korrupsionit, si dhe listën e sanksioneve amerikane.
“Nëpërmjet programeve të trajnimit, operacioneve të përbashkëta, modernizimit të njësive të Ministrisë së Brendshme, ne kemi bërë një hap të rëndësishëm përpara në respektimin e shtetit ligjor dhe veçanërisht në mbrojtjen e qytetarëve tanë nga efektet e dëmshme të korrupsionit. Është e domosdoshme që Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministria e Punëve të Brendshme të luftojnë kundër korrupsionit, që të ndershmit të fitojnë kundër të korruptuarve. “Suksesi në atë luftë është i mundur vetëm me institucione që veprojnë me integritet, profesionalisht dhe jo selektivisht, veçanërisht në fushën e drejtësisë”, tha Spasovski në takim.
Në të njëjtën kohë, Spasovski theksoi se të gjitha direktivat dhe personat e vendosur në listën e sanksioneve të SHBA-së do të vendosen në kornizë ligjore në mënyrë që të mos kenë mundësi të marrin pjesë në prokurimet publike, të jenë pjesë e Qeverisë dhe as të jenë kandidatë për poste publike.
Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA-së për Evropë dhe Euroazi, James O’Brien, theksoi se këto janë hapa shumë të rëndësishëm që MPB-ja dhe Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut po ndërmarrin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Në takim, dy bashkëbiseduesit u pajtuan se rruga evropiane nuk ka alternativë dhe se periudha në vijim është vendimtare për Republikën e Maqedonisë së Veriut, në aspektin e Qeverisë teknike dhe zgjedhjeve, sfidat që vijnë janë shumë të rëndësishme për drejtimin në të cilin lëviz shteti.