Deputetët sot do ta fillojnë seancën e parë të re për këtë vit. Në rend dite të seancës së 138-të janë më shumë se njëzet pika, kryesisht ligje me procedurë të shkurtuar.
Deputet duhet t’i shqyrtojnë plotësimet e Ligjit për avokatin e popullit, ndryshimet e Ligjit për sport, Propozim ligjin për zhvillimin profesional dhe aftësimin e nëpunësve administrativ, propozim ligjin për sigurinë e rrjeteve dhe sistemeve informative dhe transforimimin digjital (8*), Propozim ligjin për nëpunës administrativ, Propozim ligjin për të punësuarit në sektorin publik, ndryshimet dhe plotësimet e ligjit për menaxhim elektronik dhe shërbime elektronike, Propozim ligjin për peshkim dhe akuakulturë, të gjitha me procedurë të shkurtuar.
Në rend dite janë edhe propozim ligji për garancinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut për obligimet e Marrëveshjes për hua për financim shtesë të projektit për përmirësimin dhe zhvillimin e rrugëve, i cili do të lidhet ndërmjet Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim – Bankës Botërore dhe Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit për shërbime dhe sisteme pagesore, ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit për menaxhim me mbeturinat, plotësimi i Ligjit për shërbim në Armatën e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit për mbrojtje nga rrezatimi jonizues dhe siguria nga rrezatimi, të gjitha me procedurë të shkurtuar.
Në këtë seancë të 138-të në lexim të parë janë Propozim ligji për të drejtat e fëmijëve, ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit për ekzekutimin e sanksioneve dhe ndryshimi i ligjit për menaxhim me rrjedhat shtesë të mbeturinave.
Deputetët do të debatojnë edhe për Propozim-strategjinë kombëtare për zhvillim të kulturës me Plan aksional për periudhën 2023-2027, si dhe për Propozim vendimin për dhënien e pëlqimit të programit vjetor për punë dhe zhvillim të Agjencisë për Aviacion Civil për vitin 2024, dhe për Propozim vendimin për dhënien e pëlqimit të planit financiar të Agjencisë për Aviacion Civil për vitin 2024.